Kukës – Një projekt, që po zbatohet në 3 zona kadastrale të rrethit të Kukësit, synon regjistrimin fillestar të pronave në qytetin e Kukësit, në lagjen Gostil dhe në komunën Shtiqën.
Ky eshtë fillimi i procesit të regjistrimit të pronave të paluajtshme, që do të mundësojë jo vetëm regjistrimin e tyre, por edhe kthimin në prona në aktive në treg, duke mundësuar që pronarët të kryejnë çdo lloj veprimtarie me to.
“I gjithë procesi në këto 3 zona kadastrale do të përfundojë në fund të këtij viti. Llogaritet regjistrimi i mbi 10 mijë pronave të paluajtshme, ndërsa në 5 zonat e tjera të rrethit, procesi parashikohet të vazhdojë përmes zbatimit të projekteve të tjera. I gjithë procesi i regjistrimit po kryhet falas nga kompania daneze “Blum info” e specializuar në regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme “, thotë drejtori i zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme të rrethit, Fatmir Gjana.
Sipas tij, deri tani ka përfunduar faza e parë e informimit të banorëve përmes tre zyrave të ngritura për këtë qëllim në të tre zonat e përfshira në procesin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Në zonën e Kukësit kanë përfunduar matjet fushore dhe po punohet për përgatitjen e kartelave të pronësisë. Deri tani procesi ka përfunduar për mbi 1500 pasuri të paluajtshme si: banesa, lokale, toka, troje etj. Në lagjen Gostil procesi ka përfunduar në 1000 pasuri të paluajtshme, ndërsa në Shtiqën në 800 pasuri të paluajtshme.
“Me përfundimin e matjes fushore e hartave treguese, pronarët mund të bëjnë vërejtjet e tyre dhe të kryejnë paraqitjen e dokumentacionit për njohjen e regjistrimin përfundimtar të pasurisë, gjë që bën të mundur përfundimin e procesit dhe vënien e kësaj pasurie në sistemin e tregut”, tha Gjana.
Procesi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme mundëson zgjidhjen e problemeve sociale dhe ekonomike për banorët e këtyre zonave. Kjo ndodh për shkak se e gjithë kjo pasuri deri tani, për shkak të problemeve të pronësisë, nuk ka mundur të hyjë në treg. Po ashtu, mundësohet zgjidhja e problemeve sociale të banorëve në pronat e të cilëve do të kryhen në të ardhmen ndërtime publike, siç ndodhi më parë me ndërtimin e autostradës, apo të aeroportit, ndërtime këto që shkaktuan jo pak probleme mes investitorit e banorëve deri në zgjidhjen e problemit të pronave të pronarëve që duhej të shpërbleheshin.
Friday, 20 May 2011 12:49