Kukës – Numri i familjeve me ndihmë ekonomike në bashkinë e Kukësit është në rritje,çka ka bërë që ndihma ekonomike të kushtëzohet me punën në shërbim të komunitetit.
“Për muajin tetor numri i familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike ka arritur në 2031, ndërsa fondi i akorduar për këtë qëllim arrin në afro 8 milion lekë”, tha në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak drejtori i zyrës së ndihmës ekonomike të bashkisë, Vladimir Trota. Sipas tij, kjo ka kushtëzuar që ndihma ekonomike të shoqërohet me punën në shërbim të komunitetit. “Një gjë e tillë shërbën edhe si kontroll ndaj familjeve që përfitojnë ndihmën ekonomike, por edhe përmirësimin e shpejtë të disa problemeve që shqetësojnë aktualisht komunitetin, sic është problem i gjelbërimit, ku do të angazhohen 10 prej familjeve me ndihmë ekonomike”, theksoi Trota.
Ndërkohë, edhe pagesa e të angazhuarve në punë komunitare do të jetë më e lartë, gjë që do të thotë se vec fondit të ndihmës ekonomike, do të përfitiojnë edhe nga të ardhurat e bashkisë. “Projektet ku do të angazhohen familjet që përfitojnë ndihmën ekonomike do të jenë të vazhdueshme, ndërsa përfitimi është i dyanshëm, edhe i komunitetit, edhe i vetë familjeve në nevojë, pasi u rriten të ardhurat”, tha ai.
Puna në komunitet gjatë kësaj periudhe është përqëndruar në pastrimin e mjediseve të qytetit dhe në rigjenerimin e mjediseve të gjelbëruara, por edhe në mbjelljen e fidanave të rinj në akset kryesore rrugore të qytetit.
Wednesday, 16 November 2011 20:45