Tiranë – Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, sugjeron asistencën e Komisionit të Venecias ndaj Kolegjit Zgjedhor në marrjen e vendimeve profesionale e të pandikuara nga politika, lidhur me rezultatin përfundimtar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Në një intervistë dhënë sot për Deutsche Welle(DW), zyrtari i lartë i PE-së apelon që “ekspertë ligjorë dhe ata të Kolegjit Zgjedhor duhet të marrin vendime të mbështetura në ligj dhe nëse ata kanë paqartësira, mund t’ u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, ndofta Komisionit të Venecias, që ka profesionistë të vërtetë”.
Duke i bërë thirrje Kolegjit të ndjekë procedura profesionale, transparente dhe të marrë vendime të pavarura nga politika, Kukan tha se “përshtypja e delegacionit të Parlamentit Europian për ditën e zgjedhjeve, 8 majin, ishte që ajo shkoi në përgjithësi mirë, qetë, pati disa parregullsi, por jo të ndonjë rëndësie dramatike”.
Lidhur me situatën e krijuar në vend pas zgjedhjeve vendore, Kukan nënvizon se “në thelbin e kësaj situate, qëndron përsëri mungesa e vullnetit politik, për t’u përfshirë në një dialog të vërtetë, për të gjetur zgjidhje konsensuale të situatës, për të kapërcyer diferencat në qëndrime dhe arritur kompromisin, marrëveshjen që mund të sigurojë funksionimin e institucioneve demokratike”.
Ai u shpreh se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, por zhvillimet post- elektorale tregojnë se ka mosmarrëveshje mes partive politike, të cilat shkaktojnë tensione politike dhe çojnë në kërcënimin nga ana e opozitës për të bojkotuar përsëri aktivitetet e parlamentit, gjë që nuk është normale në një shoqëri demokratike, e cila duhet të mbajë gjallë dialogun e vërtetë politik dhe t’i zgjidhë problemet përmes tij.
“Pres që politikanët e Tiranës të sillen në mënyrë të përgjegjëshme dhe në interes të vendit”, përfundoi kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan.
Friday, 27 May 2011 14:09