Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 18:08

Prishtinë – Për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës nuk mund të vihen kushte, tha sot zv/kryeministri Hajredin Kuçi.

“Besoj se heqja e barrikadave, veprimet kriminale, nuk janë çështje që negocionen dhe as që mund të vëhen kushte prej askujt”, deklaroi ai. Zv/kryeministri Kuçi ndërsa siguroi se “qarkullimi i lirë i individëve do të jetë anëekënd Republikës së Kosovës,sikurse edhe institucionet e Republikës së Kosovës do të kenë qasje në gjithë territorin e vendit”.

Ai theksoi përkushtimin e qeverisë që edhe në veri të krijohen kushte për qytetarët,si në çdo pjesë të Kosovës.”Dhe, është e pamoralshme,  ndër të tjera, përveç që është e paligjshme, të kërkohet që në një vend të ketë qakullim për një njeri dhe për dikë tjetër jo”, shtoi numri dy i qeverisë kosovare.

“Ata që vënë barrikada janë jolegjitimë në këtë vend, ndërsa ata që duhet të shkojnë në veri, institucionet, janë lëgjitmë dhe legalë, dhe qasja jonë është krejt demokratike”, theksoi zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Sot pasdite në Zveçan është paralajmëruar një takim i kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës, të zgjedhjeve të organizuara nga Serbia, me përfaqësuesit ndërkombëtarë, të KFOR-it, EULEX-it, etj.

I pyetur pse edhe përfaqësuesit e qeverisë nuk marrin pjesë në këto bisedime Kuçi tha se “ne jemi të gatshëm që të bisedojmë me qytetarët tanë serbë anë e kend Kosovës dhe në këtë drejtim e kemi shprehur dhe e shprehim gatsishmërinë edhe sot, por ne nuk i legalizojmë dhe nuk i legjitimojmë strukturat ilegale”.

Ai vuri në dukje se “KFOR-i dhe EULEX-i po e kryejnë punën e vet për të krijuar një ambient të sigurt”, ndërsa  shtoi se “qasja jonë institucionale është plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë”.