Prishtinë – Hajredin Kuçi i është kthyer sërish postit të zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Drejtësisë.
Këtë ai e konfirmoi vetë në një konferencë për media, pas takimit të parë zyrtar që ka zhvilluar me shefin e EULEX-it, Xavier But de Marnac.
Në konferencën për media pas takimit me Marnacun, Kuçi tha se kthehet me përgjegjësi edhe më të larta. “Unë sot jam kthyer, me përgjegjësi dhe me përkushtim dhe do të vazhdojë aty ku kam mbetur, ndoshta me përgjegjësi edhe më të larta se deri më tani”, u shpreh Kuçi, siç transmeton RTK.
Ai falënderoi kryeministrin Thaçi për angazhimin personal për kthimin e tij duke hequr nenet problematike nga Kodi Penal i Kosovës. Po ashtu, ai shprehu mirënjohje edhe për deputetët, duke thënë se ata treguan vetëdije të lartë shtetërore.
Kuçi falënderoi edhe shefin e EULEX-it, duke thënë se do ta vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me këtë institucion. “Unë dua ta falënderoj shumë për punën që kemi bërë deri tani dhe jap garanci të plota se si ministër i Drejtësisë dhe zëvendëskryeministër do të punojmë edhe në të ardhmen për punë të mbara për të vendosur rendin dhe ligjin dhe për të angazhuar kapacitetet tona të plota që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji sipas standardeve euroatlantike”, tha Kuçi.
Ndërkaq, shefi i EULEX-it Xavier But de Marnac, shprehu kënaqësinë për kthimin e Kuçin në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë. “Jam shumë i lumtur që ministri i Drejtësisë është kthyer sërish në detyrën e tij dhe që pata mundësi të takohem me të”, tha Marnac. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 10 July 2012 13:49