Prishtinë-Vetëm një ditë pasi Beogradi ndaloi ministrin kosovar të diasporës Ibrahim Makolli të hynte në Serbi, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi ka refuzuar vizitën e zëvendës kryeministrit serb Bozhidar Gjeliç dhe pretendentit të kurorës, princit Aleksandër Karaxhorxheviç në Kosovë.
Lajmi raportohet nga agjencia serbe B92, sipas së cilës zëvendëskryeministri Kuçi i cili ka në ngarkim aprovimin e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë, ka vendosur të refuzojë kërkesën e tyre.
Dhe kjo është mbase hera e parë që një zyrtar i lartë serb nuk lejohet të hyjë në Kosovë.
Princi Karaxhorxheviç dhe zëvendëskryeministri serb Gjeliç kishin në plan të vizitonin Patriarkanën e Pejës dhe manastirin e Deçanit.
Madje vetë agjencia e lajmebe B92 thotë se sipas disa burimeve, vendimi i qeverisë së Kosovës është një shenjë reciprociteti, pasi një ditë më parë ministri kosovar i diasporës u ndalua të kalonte kufirin Kosovë-Serbi në vendkalimin kufitar në Konçu ndërsa ishte nisur për një vizitë zyrtare në komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës. (LajmeShqip.com)
Friday, 13 January 2012 11:24 