Me ftesë të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi ka vazhduar takimet m e zyrtarë të lartë të këtij vendi.
Sipas një njoftimi për media nga kjo ministri, në Londër ai ka takuar drejtorin për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lindsay Appleby. Bëhet e ditur se të dy palët kanë vlerësuar lartë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Diskutimi është përqendruar në arritjet në fuqizimin e sundimit të ligjit përmes reformave të vazhdueshme, në procesin e përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave, si dhe në përmbylljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Po ashtu bëhet e ditur se ministri Kuçi ka vlerësuar lart mbështetjen e ofruar gjatë takimit në përmbylljen sa më të shpejtë të MSA-së dhe sigurimin sa më të shpejtë të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri Kuçi po qëndron në Londër me ftesë të ministrit të Drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit ligjor në Angli dhe Uells në Pallatin e Westminster. Samiti mbledh krerët e drejtësisë në botë, duke përfshirë këtu ministra të drejtësisë të Evropës dhe botës, gjyqtarë të gjykatave ndërkombëtare, avokatë e kontribuues të shquar të drejtësisë në botë.
Friday, 02 October 2015 11:38