Lajme Shqip Tuesday, 20 September 2011 13:40

Prishtinë – Kthehen prapa kamionët që kishin hyrë në Serbi, ka konfirmuar Mimoza Kusari-Lila, ministre e tregtisë dhe Industrisë. Ky lajm pason njoftimet e mëhershme se dy kamionë me çimento, kanë kaluar nga Kosova për në territorin e Serbisë dhe janë dërguar në terminalin doganor në Preshevë.

Dy kamionët me çimento, të kompanisë “Sharrcem”, nga Hani i Elezit, nuk arritën të zhdoganojnë mallin e tyre në terminalin e Preshevës. Ndonëse ata mbrëmë arritën të kalojnë në Republikën e Serbisë, tani merret vesh se janë duke u kthyer prapa. Këtë e konfirmoi ministrja e Tregtisë dhe Iindustrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo përsëriti se Kosova nuk mund ta bëjë zbatimin e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme, dhe se së shpejti mund të ndërmerren masa reciproke ndaj produkteve serbe.

Sipas zëdhënësit të Doganave, Adriatik Stavileci, që nga 16 shtatori, kur ka filluar të zbatohet marrëveshja për njohjen e vulave doganore, e arritur në Bruksel më 2 shtator, në territorin e Kosovës kanë hyrë rreth 200 kamionë me mallra nga Serbia. (LajmeShqip.com)