Tiranë – Sot në mesditë, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, u zhvillua ceremonia e pritjes së Kontigjentit Paqeruajtës “Eagle 4”, i cili u kthye në atdhe pasi kreu me sukses misionin paqeruajtës në Kandahar të Afganistanit.
Komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Viktor Berdo, i uroi mirëseardhjen në atdhe trupave të Kontigjentit “Eagle 4” dhe bëri vlerësime të larta për kryerjen me sukses të misionit të tyre në një nga zonat më të vështira të Afganistanit.
Në fjalën e tij të përshëndetjes shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, theksoi se “ju zhvilluat dhe përmbushët me sukses operacionet, përkrah aleatëve tanë amerikanë dhe vendeve të tjera të NATO-s, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë, kurajo dhe besim, duke i shtuar vlera të reja e të çmueshme kontributit të Forcave tona të Armatosura në kryerjen e operacioneve në shërbim të paqes dhe të sigurisë në botë”.
Duke përkujtuar me nderim dhe mirënjohje të thellë aktin heroik të kapiten Feti Voglit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm theksoi se “në këtë mision, ne humbëm jetën e kapiten Feti Voglit, morëm plagët e Aleksandër Pecit, provuam një dhimbje të pa provuar më parë, por treguam se dimë të reagojmë me profesionalizëm e dinjitet për të përballuar situata më të vështira, si dhe fituam një dëshmor më shumë në altarin e shenjtë të atdheut, fituam dashurinë, respektin dhe mirënjohjen e madhe të shtetit dhe popullit tonë, si dhe të aleatëve tanë”.
Gjunkshi tha se “Forcat tona të Armatosura do të vazhdojnë të stërviten për të kryer detyra të tjera të ngjashme, që do të na besohen nga shteti në përmbushjen me sukses të misionit tonë kushtetues dhe realizimin e të gjitha objektivave dhe detyrave në kuadrin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe krijimit të Forcave tona të Armatosura”. Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Dashamir Maçi, duke përshendetur trupat paqeruajtëse, u ndal tek kontributi i 5 efektivave të Policisë së Shtetit që morën pjesë në kontingjentin ‘OMLT 2’ të ekipit trajnues të policisë afgane.
Kontigjentit Paqeruajtës “Eagle 4” përbëhej nga 45 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionistë efektivë të Batalionit të Forcave Speciale dhe u drejtua nga nënkolonel Behar Mara. Ky kontingjent ka kryer misionin që nga muaji janar i këtij viti në zonën e Kandaharit, duke kryer detyra të mirëfillta luftimi si operacione të inteligjencës, operacione survejimi, rikonicioni, zbulimi, operacione për mbrojtjen dhe rritjen e sigurisë, si dhe operacione të përbashkëta me forcat e sigurisë afgane.
Dje u kthye në atdhe edhe Kontigjenti i 10-të Paqeruajtës. Ky kontigjent, me komandant nënkolonel Arben Kingjin, përbëhej nga efektivë të Batalionit të Këmbësorisë Malore të Vaut të Dejës në Shkodër, me një personel prej 100 trupash dhe 12 nga Shtabi i Komandës së Forcës Tokësore. Gjatë periudhës janar 2012 deri në korrik 2012 Kontigjenti i 10-të Paqeruajtës veproi në përbërje të kontigjentit italian, ku trupat shqiptare dhe ato italiane bashkëpunuan dhe kryen detyra të rëndësishme në Herat të Afganistanit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 22 July 2012 18:02