Lajme Shqip Wednesday, 04 January 2012 09:35

Gjirokastër – “Ligji për trashëgiminë kulturore duhet përmirësuar në përputhje me realitetin e sotëm”, deklaroi kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, duke nënvizuar se ky ligj ka nevojë të ngutshme për ndryshime.

Sipas kryebashkiakut Bime, ligji për trashëgiminë kulturore ka një kontraditë të dukshme midis përpjekjeve  për të  ruajtur trashëgiminë kulturore dhe mundësive ligjore që u krijohen qytetarëve në këtë drejtim. “Për rikonstruksionin e një muri, të një porte, një pjesë të çatisë apo tavanit e dyshemesë, pronari i banesës  karakteristike në Gjirokastër duhet të sigurojë leje në drejtorinë e përgjithshme të monumenteve  në Tiranë. Një procedurë e tillë, që duhet siguruar jashtë Gjirokastrës, kërkon shumë kohë dhe shumë shpenzime, të cilat  rëndojnë drejtpërdrejt pronarët, prandaj është e domosdoshme që për lejet të gjendet një rrugë më e shkurtër dhe më efikase”, thotë Bime.

Sipas tij, për ndërhyrje të pjesshme në banesat karkteristike leja për ndërtim mund dhe duhet të jepet në  Gjirokastër. “Kjo është një kërkesë e logjikshme dhe një shqetësim i ngritur vazhdimisht nga pronarët e banesave në Gjirokastër dhe që duhet të merret në konsideratë  nga strukturat e shtetit dhe veçanërisht drejtoria e përgjithshme e monumenteve të kulturës në Tiranë”, tha Bime.

Ai vuri në dukje se shpesh qytetarë të ndryshëm që nuk kanë mundësi financiare për të shkuar deri në Tiranë, ose bëjnë ndërtim ose rikonstruksion  pa leje ose ndryshojnë arkitekturën në shërbim të interesave të tyre private. Në një situatë të tillë kontraditore  e vetmja zgjidhje mbetet ndërhyrja në ligj , sqaroi Bime, i cili kërkoi gjithashtu që zona muzeale e Gjirokastrës të popullohet nëpërmjet institucioneve dhe administratës shtetërore, pasi aktualisht shumica e ndërmarrjeve shtetërore operojnë jashtë zonës muzeale.