Kryetari i Akademisë së Shkencave të Serbisë, Vladimir Kostiq në një intervistë për një media serbe, ka deklaruar se nuk pendohet për deklaratat e tij që kanë të bëjnë me realitetin e ri në Kosovë.
Ai ka shtuar se nuk e ka pritur gjithë këtë “dënim publik” që po i bëhet, duke thënë se nëse akademikët e kërkojnë dorëheqjen e tij, ai do ta bëjë një gjë të tillë.
Para disa ditësh, Kostiq kishte thënë se “e vetmja mençuri politike me elemente të dinjitetit në këtë moment, është të lihet Kosova, sepse as de facto, e as de jure nuk është më pjesë e Serbisë” dhe se “dikush duhet t’i tregojë këtë gjë popullit”, duke shkaktuar reagim të ashpër në Serbi, transmeton lajmi.net.
Në një intervistë për Alo, në pyetjen se a është penduar për këtë deklaratë, ai është përgjigjur:
“Jo nuk jam penduar, pse do duhej bërë një gjë e tillë? E thash atë që mendoj dhe qëndroj prapa asaj që thash. Kam folur në emrin tim dhe jo në emër të Akademisë. Fatkeqësisht, jam keqkuptuar sepse askush nuk e ka dëgjuar atë që kam thënë dhe kontekstin në të cilën e kam përdorur”.
“Isha i vetëdijshëm për riskun e deklaratës, por këtë nuk e prisja. Një deklaratë e tillë bartë përgjegjësi, të cilat unë jam i gatshëm t’i marr. Sigurisht, do të ishte më e lehtë t’i thosha popullit atë që dëshiron ta dëgjojë dhe jo atë që mendoj se është realitet”, u përgjigj ai kur u pyet se nëse e ka pritur një reagim të tillë.
Kostiq gjithashtu është pyetur nëse është befasuar dhe si ka reaguar ndaj reagimit të Nikoliqit.
“Po, jam befasuar. Ne të dy mund të pajtohemi në disa gjëra, e të mos pajtohemi në gjëra tjera, por unë kurrë nuk do i kërkoja atij të dorëheqet për shkak të një qëndrimi me të cilin unë nuk pajtohem. (Kërkesa e Nikoliqit për dorëheqjen e Kostiqit) Drejtpërdrejt sulmon dhe nënçmon integritetin tim. Nga Shesheli psh, do e prisja kërkesën për dorëheqjen time”, u përgjigj Kostiq.
Tuesday, 20 October 2015 11:17