Lista Serbe me deputetët e saj në Kuvend, pas formimit të Asociacionit të Komunave Serbe do të ketë një fuqi edhe më të madhe në jetën institucionale të Kosovës.
Me ligjet aktuale në Kosovë, komuniteti serb mund të pengojë çdo projekt apo nismë nga institucionet e Kosovës i cili kërkon ndryshime kushtetuese, por pas formimit të Asociacionit, Lista Serbe do të mund të ketë autoritet edhe sa i përket nismave tjera në nivel komunal të cilat udhëhiqen nga serbët.
Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GPJ), ka thënë për lajmi.net se çdo veprim i Listës Serbe do të ketë si qëndrim bazë të saj, atë të Asociacionit të Komunave Serbe.
“Pas themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe, ky përfaqësim i decentralizuar do të koncentrohet në këtë asociacion dhe, çdo vendim, qoftë politik por edhe çdo sjellje e akteve politike, si në kuptimin komunal, ashtu edhe në atë Qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, do të ketë si bazë qëndrimin politik të Asociacionit, dhe kjo është njëra nga rreziqet politike që po i ofrohet Kosovës pas themelimit të këtij trupi komunal”.
“Formimi i saj do të formalizojë fuqinë politike të Listës Serbe në gjithë jetën institucionale të Kosovës”, është shprehur Doli.
Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, si një projekt që kërkon 2/3 e votave të minoriteteve është duke u penguar nga Lista Serbe, dhe ky qëndrim ka bërë që udhëheqësit institucional të kërkojnë mundësi tjera.
Por sipas Dolit, pas formimit të Asociacionit, Lista Serbe do të paraqes probleme edhe sa i përket shfrytëzimin e territoreve të cilat udhëhiqen nga serbet.
“Qeveria e Kosovës dhe çdo institucion tjetër në Kosovë, duhet të kuptojë se fuqizimi i Listës Serbe, pra i mentalitetit kundërshtues ndaj rendit Kushtetues të Kosovës, do të parandalon çdo veprimit normal politik që Kosova do të mund të ndërmerrte, e të cilat do të përfshinin në një rast apo tjetër territore të komunave serbe apo, pjesë tjera të Kosovës të cilat qeverisen nga ndonjë kryetar i cili rastisë të jetë serb në Kosovë”.
“Në këtë kontekst, vendi ynë do të mund të përballet me një sërë problemesh të karakterit të funksionimit të shtetit të Kosovës, që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e atyre territoreve, për qëllime ekonomike, ushtarake etj, dhe leja për ti shfrytëzuar ato territore të cilat udhëhiqen nga komunat serbe do të duhej që të merrej nëpërmjet koncenzuesit politik, dhe jo nëpërmjet shfrytëzimit të rregullave ligjore që Kosova i ka të ndërtuara”, ka thënë Doli për lajmi.net.
Në bisedimet në Brukesl të mbajtura me 25 gusht mes Kosovës dhe Serbisë, është arritur marrëveshja për formimin e këtij asociacionit, marrëveshje kjo e cila është kundërshtuar nga opozita dhe shoqëria civile në Kosovë.
Tuesday, 01 September 2015 16:26