Tiranë – Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi të martën në komisionin e Ligjeve se koeficienti i kriminalitetit në vend ka shënuar rritje gjatë vitit 2011, ndërsa e konsideroi imunitetin e zyrtarëve të lartë një penesë për vijimin e hetimeve. 
Gjatë raportimit vjetor në Kuvend “Mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri” gjatë vitit të kaluar kryeprokurorja tha se është rritur numri i çështjeve të dërguara për gjykim, ndërsa është ulur numri i çështjeve të pushuara.
Sipas saj, shqetësim serioz në punën e organit të prokurorisë është imuniteti i zyrtarëve të lartë, që bëhet pengesë për vijimin e hetimeve. “Na ka penguar imuniteti për të hetuar zyrtarët”, theksoi Rama, ndërsa shtoi se “heqja e tij do të ishte lehtësim në këtë proces”.
Krimi kryesor në vend vazhdon të mbetet vjedhja, që ka shënuar rritje. Sipas Ramës, 41% e veprave kriminale i përkasin pikërisht vjedhjes. Kreu i organit qendror të akuzës është në fund të mandatit të saj pesëvjeçar në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, mandat që përfundon në fund të nëntorit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 26 June 2012 11:59