Prishtinë – Kryeprokurori i SHBA-së, Eric Holder Jr, gjatë takimit me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Uashington tha se, “dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira ndërmjet tyre dhe ato duhet të thellohen më tej në veçanti në fushën e drejtësisë dhe gjyqësisë”.
Në një njoftim të Presidencës kosovare thuhet se kryeprokurori amerikan theksoi se, ” të dyja vendet duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën dhe se shqetësimet e Kosovës janë edhe shqetësime të SHBA-së”.
Ai tha se SHBA-ja është e gatshme t’i jap Kosovës ndihmë konkrete, me të gjitha kapacitetet, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u shpreh se, “takimi me kryeprokurorin e SHBA-së ka për synim arritjen e qëllimit për çrrënjosjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë për të cilën është e nevojshme asistenca dhe ndihma amerikane”.
“SHBA ka përvojë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka strukturë, sistem të fortë dhe metoda për të adresuar, luftuar dhe çrrënjosur këtë problem”, theksoi Jahjaga duke shtuar se dëshiron që Kosova të përfitojë nga përvoja amerikane.
Presidentja Jahjaga tha se, “është e gatshme që të fillojë reformat në sistemin e drejtësisë, të paraqesë ligje në Kuvend dhe të marrë vendime ekzekutive për të eliminuar një herë e përgjithmonë korrupsionin dhe krimin e organizuar që po rrezikon të mbajë peng proceset demokratike dhe zhvillimore të vendit dhe të ndërtojë një mbështetje publike në këtë luftë”.
Qëllim im, vijoi ajo, është ndërtimi i një shoqërie të bazuar në ligj dhe në rend dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar përpara se ai të shtrihet në strukturat udhëheqëse dhe të fuqizohet.
Presidentja Jahjaga kërkoi nga kryeprokurori amerikan që të ndihmojë edhe në arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së për ekstradim të personave të dyshuar për terrorizëm.
Kryeprokurori amerikan, Eric Holder Jr. theksoi se do të kërkojë që të gjitha çështjet që i ngriti Presidentja e Kosovës do të trajtohen me prioritet dhe se Republikës së Kosovës do t’i jepet çdo ndihmë dhe përkrahje që kërkohet.
Friday, 16 December 2011 10:00