Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 10:51

Prishtinë – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi uroi ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin dhe gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Krishtlindjeve.

Ai theksoi se, “Festa e Krishtlindjeve është ndër festat më të rëndësishme të botës së krishterë, që kremtohet me dinjitet dhe krenari nga mbarë komuniteti katolik kudo që jeton”.

“Kjo festë madhështore e njërit nga besimet më të rëndësishme të njerëzimit kremtohet edhe në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike, duke e bërë fundvitin më të ngrohtë, më human dhe përmbledhës të të arriturave në familje, në shoqëri dhe arenën ndërkombëtare”, shprehet kryeministri Thaçi.

Kosova, shtoi ai, i bashkohet lumturisë dhe gëzimit që sjell kjo festë e cila mishëron idenë dhe ndjenjat e besimit në vlera hyjnore dhe njerëzore, në rilindjen shpirtërore dhe kultivimin e paqes midis popujve, si kusht i zhvillimit dhe përparimit të njerëzimit.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim uroj që kjo festë të sjellë edhe më shumë ngrohtësi, lumturi, shpresë dhe suksese në familjet tuaja, që të sjellë harmoni, paqe dhe përparim në shoqërinë tonë. Me një konsideratë të veçantë, Festën e Krishtlindjeve ua uroj  besimtarëve katolikë të komunitetit ndërkombëtarë, që gjenden në Kosovë”, tha kryeministri Thaçi.