Lajme Shqip Wednesday, 25 January 2012 10:44

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare njëditore në Mal të Zi, me ftesë të Kryeministrit malazez Igor Luksiç.

Në një njoftim për shtyp të kryeministrisë bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite Berisha do të pritet nga kryeministri i malazez Igor Luksic me të cilin do të zhvillojë një takim tête-a-tête dhe që do të pasohet nga takimi i delegacioneve respektive.

Pas takimit, ambasadorët e të dy vendeve do të nënshkruajnë Marrëveshjen për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit të kufirit Grabon-Zatrijebacka Cijevna, si dhe do të japin një konferencë për shtyp.

Gjithashtu, kryeministri Berisha do të zhvillojë takime të veçanta me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic dhe me Zëvendëskryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Zeljko Sturanovic. Ai do të takohet dhe me kryetarin e PDS-së së Malit të Zi z. Milo Djukanovic.

Kryeministri shqiptar do të ketë takime dhe me përfaqësues të partive shqiptare, si Mehmet Bardhi kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Vasil Sinishtaj i Koalicionit Shqiptar Perspektiva, Genci Nimanbegu i FORCA dhe Mehmet Zenka i Unionit Demokratik Shqiptar.

Në vijim të axhendës së tij, Berisha do të zhvillojë një vizitë në Tuz, ku do të pritet nga kryetari i Komunës  Nikola Gegaj dhe do të takohet me përfaqësues të Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit.

Vizita e Kryeministrit shqiptar do të përmbyllet me takime në Ulqin ku do të pritet nga kryetari i kësaj Komune, Nazif Cungu. (LajmeShqip.com)