Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 11:55

Krumë – Qyteti i Krumës edhe pse është qendër administrative e rrethit më të vogël e më të largët të vendit, vazhdon të mbetet i heshtur nga veprimtaritë kulturore, edhe pse ka ardhur stina e verës, ndaj këtë situatë premton ta ndryshojë kreu i ri i Bashkisë, Liman Morina.

“Një nga punët e para do të jetë rivënia në eficencë e pallatit të kulturës dhe bibliotekës së qytetit”, thotë për ATSH-në, kryetari i ri i Bashkisë, Liman Morina, i sapozgjedhur në zgjedhjet e 8 majit.

Sipas tij, “po punohet me një grup specialistësh për zgjidhjen e problemeve që kanë nxjerrë jashtë pune shtëpinë e kulturës, sikurse zënia e disa mjediseve të saj nga bashkia për mjedise pune”.

Deri tani, mjediset e pallatit të kulturës në këtë qytet u kanë shërbyer vetëm partive politike për takime në raste fushatash, takime masive me elektoratin, por jo për veprimtari kulturore.

Po ashtu do të hartohet një plan i veçantë për hapjen e bibliotekës së qytetit, ndonëse me një fond të mangët, vetëm rreth 2000 tituj librash.

“Do ta rihapim dhe më pas do të punohet për shtimin e numrit të librave”, thotë Morina. Sipas tij, puna do të nisë menjëherë, duke rivendosur në një nga mjediset kryesore bustin e Bajram Currit, e vetmja vepër artistike në Krumë, që prej një viti është hequr nga mjediset e qytetit për shkak të ndërtimit të një shkolle dhe një lulishteje në qendër të tij.