Zagreb- Gjykata në Zagreb e konfirmoi sot akuzën e dytë kundër ish-kryeministrit kroat Ivo Sanader, e cila ka të bëjë me marrje të ryshfetit prej 10 milionë eurove nga kompania hungareze e naftës MOLL për marrjen e pakos kontrolluese të aksioneve në kompaninë kroate INA.
Shërbimi kroat për luftë me korrupsionin dhe krimin e organizuar kërkoi në seancë të mbyllur të gjykatës që ky proces të jetë së bashku me aferën me bankën austriake Hipo Alpe Adria, e cila udhëhiqet për momentin kundër Sanaderit.
Prokurorët propozojnë që nëse Sanderi shpallet fajtor, t’i kthejë shtetit 10 milionë euro. Për këtë rast ka pasur hetim për ish-zëvendëskryeministrin Damir Pollançec, por ai u ndërpre.
Sanader është akuzuar se ka marrë mjete joligjore nga banka austriake gjatë luftës në Kroaci (1991-1995), derisa ka qenë zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Sipas aktakuzës, banka austriake “Hipo Alpe Adria” i ka dhënë rryshfet me vlerë prej 480.000 euro Sanaderit gjatë negociatave për kredi, të parashtruar nga banka për Qeverinë kroate.
Sanader është lëndë e katër hetimeve për korrupsion. Një ka të bëjë me financimin ilegal të partisë në pushtet HDZ, që sipas mediave në Zagreb është së paku katër milionë euro.
Monday, 07 November 2011 18:24 