Lajme Shqip Thursday, 19 January 2012 09:30

Londër- Gjendja ekonomike në BE para Samitit në Bruksel, që do të mbahet më 30 janar, ishte temë kryesore e takimit të kryeministrit britanik Dejvid Kameron me kolegun e tij italian Mario Monti, i cili ndodhet për vizitë në Londër.

Pas bisedimeve dhe drekës punuese në rezidencën zyrtare të kryeministrit britanik, Monti në konferencën e përbashkët deklaroi se BE-ja dhe Italia kanë interes nga përfshirja e tërësishme britanike në krizën e tanishme evropiane dhe u zotua se Britania e Madhe të vazhdojë  të bashkëpunojë me anëtaret e tjera në BE.

Kameron refuzoi të komentojë nëse Britania e Madhe do të përfshihet me 17 miliradë paund për rritjen shtesë të fondeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), por e përsëriri pozicionin e Qeverisë në Londër se FMN është organizatë financiare ndërkombëtare e cila i mbron ekonomitë e shteteve, e jo të valutave të ndara.

“Vendet e eurozonës do të duhet të bëjnë gjithçka që nevojitet që ta mbrojnë valutën e tyre”, tha Kameron.

Ish eurokomisari Monti, i cili vitin e kaluar në nëntor e zëvendësoi Silivio Berliskonin në funksionin e kryeministrit, gjatë qëndrimit në Londër e vizitoi edhe qendrën financiare Siti, ku i bindi investitorët se Italia ka ndryshuar drejtimet e politikës së vet ekonomike.

Në intervistën për “Financial Times” Monti thotë se në rast se Gjermania nuk i pranon përpjekjet dhe masat që vendet-debitore i kanë bërë, mund të vijë deri në goditje kthyese e padëshirueshme në shtetet të cilat veçmë janë të eksponuara në masa tejet të ashpëra të kursimit dhe zvogëlimit buxhetor. (LajmeShqip.com)