Lajme Shqip Friday, 23 December 2011 15:15

Tiranë – Shqipëria po dallohet për rritjen e vazhdueshme ekonomike, ndonëse në kushtet e krizës në eurozonë. Tani të gjithë bien dakort se ekonomia shqiptare arriti të përballojë efektet e krizës evropiane. Këtë realitet të konstatuar nga institucionet financiare dhe bankare në vend e konfirmoi dhe raporti më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) i cili thekson se në vitin 2009 i vetmi vend në rajon, Shqipëria, pati rritje ekonomike, ndërkohë që 5 vendet e tjera të marra në studim shkuan në tkurrje të ekonomisë.

Ndër të tjera raporti nxjerr në pah politikat fiskale të zbatuara nga këto vende, ku sërish dallon Shqipërinë dhe Kroacinë për kujdesin e treguar në aplikimin e këtyre politikave. Shqipëria, thuhet në raport, dallohet si i vetmi vend në këtë grup, e cila ishte në gjendje të ofrojë një stimul të mirë fiskal, të financuar nga të ardhurat përmes privatizimit, faktorë ky që ka ndikuar në stabilizimin dhe mbështetjen e ekonomisë.

Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, në një prononcim për mediat lidhur me zhvillimet në sistemin bankar në kushtet e krizës, thotë se mbikëqyrja e Bankës së Shqipërisë për “ruajtjen” e sistemit bankar në vend, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

“Mbikëqyrja bankare ka qenë e një natyre paravepruese dhe parandaluese, duke krijuar njëkohësisht hapësira të nevojshme për një administrim sa më fleksibël të veprimtarisë bankare”, tha Fullani.

Përmirësimet e bëra Ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, një sërë ndryshimesh në bazën rregullatore të aktivitetit bankar si dhe prania fizike nëpërmjet inspektimeve në vend kanë ndikuar në rritjen e imunitetit dhe amortizimin e efekteve negative që gjeneron kriza globale.

Duke iu referuar raportimeve të plota të bankave për fundin e muajit shtator 2011, Fullani thekson se vërehet që totali i aktiveve të sektorit bankar është zgjeruar me ritme të mira, duke u rritur me 9.5% që prej fillimit të vitit dhe rreth 13% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Portofoli i kredive të sektorit bankar është rritur me 9.6% gjate vitit, ose rreth 15% në krahasim me një vit më parë, duke zënë 49.1% të totalit të aktiveve”, bëri të ditur Fullani.

Gjatë vitit, kredia në lekë është rritur me ritme më të shpejta se kredia në valutë. Zgjerimi i aktivitetit është mbështetur kryesisht prej rritjes së depozitave, të cilat zënë 81.4% të totalit të detyrimeve”, tha ai. Treguesit e likuiditetit paraqiten në nivele të qëndrueshme dhe pritet të forcohen si rezultat i kërkesave të fundit rregullative të Bankës se Shqipërisë. Deri në muajin shtator, veprimtaria bankare rezultoi me fitim në masën 1.3 miliardë lekë dhe kthimi mbi aktivet dhe ai mbi kapitalin ishin përkatësisht 0.2% dhe 1.9%.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi në nivelin 15.1 për qind, duke u paraqitur më mirë se niveli në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit. Kjo për shkak të rritjes së kapitalit nga disa banka pas kërkesës së bërë nga ana e Bankës së Shqipërisë. Fullani tha se “zhvillimet e lartpërmendura konfirmojnë qëndrueshmërinë e besimit të publikut në sektorin bankar shqiptar dhe kontributin e rëndësishëm që sektori bankar ka dhënë në financimin e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti”.

Debati që zhvillohet lidhet me masën ndaj ndikimit të krizës në eurozonë dhe çfarë përgatitjesh duhen bërë për t’u paraprirë atyre, ekspertët bien dakord se ndikimi i parë është dhënë prej kohësh në uljen e dërgesave të emigrantëve, ndërsa tani shqetësimi lidhet me një numër të lartë që po kthehen e pasojat mbi tregun e punës, ndërkohë që vlerësojnë se nevojitet që të shihen mundësitë për të shfrytëzuar ato kapitale që ata mund të sjellin me vete.

Përsa i përket paralajmërimit të institucioneve ndërkombëtare mbi ndikimet në sistemin financiar, ku bankat greke dhe italiane përfaqësojnë 36 për qind të tregut, ekspertët mendojnë se nuk bëhet fjalë për rreziqe, por për një pakësim të mbështetjes që ato do mund t’i japin ekonomisë dhe zhvillimit të vendit.

Për ish- ministrin e Financave, Anastas Angjeli, profesor në ekonomi e rektor i Universitetit Mesdhetar, pasojat do të jenë më të mëdha vitin e ardhshëm. “Është e rëndësishme që ta kuptojmë dhe shikojmë në sy këtë realitet krize. Unë mendoj se vitin e ardhshëm duhet të shqetësohemi dy apo tri herë më shumë se sa jemi shqetësuar këtë vit, paçka se shqetësimin e këtij viti jemi munduar ta mbajmë të mbuluar”.”Nuk do të ketë implikacione të drejtpërdrejta të zhvillimeve të ekonomive fqinje në ekonominë shqiptare, por me atë çka po ndodh në ekonominë globale, ekonomia shqiptare do të përshtasë ritmet e saj në përputhje me zhvillimet dhe ritmet e ekonomive rajonale”, thotë Angjeli.

Megjithatë, siç shprehet edhe profesor Ardian Civici, asnjëherë nuk është bërë një bilanc i qartë i këtyre pasojave. “Ne kemi folur shumë, do vazhdojmë të flasim shumë, por rallë kemi bërë një inventar të qartë se kush janë elementët që na prekin e që do na prekin edhe në 2012-ën”.

Kriza dhe efektet e saj janë në një farë mënyre edhe si dy anët e një medalje, ku mund të shfrytëzohet ajo pozitive. Rikthimi i emigrantëve mund të shoqërohet me një fluks eksperience apo edhe kapitali që mund të gjenerojnë hapjen e bizneseve të reja.

Por jo të gjithë kanë kapitale për të investuar. Mbi të gjitha janë familje që kërkojnë punësim, shpjegon profesor Civici, sipas të cilit, mendohet për një shifër prej mbi 120 mijë emigrantësh që mund të jenë kthyer, ndërkohë që edhe niveli aktual i papunësisë prej 13-13.5 për qind është mjaft i lartë, thotë ai, duke nënvizuar se modeli ekonomik i qeverisë shqiptare tregoi se ekonomia dhe treguesit e saj po ndjekin tredin pozitiv përpos krizës në eurozonë.