Lajme Shqip Monday, 18 June 2012 15:46

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, priti sot në një takim znj. Beatrice Ask, ministre e Drejtësisë në Mbretërinë e Suedisë dhe një delegacion me zyrtarë të lartë të këtij shteti, me ç’rast nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në zbatimin e ligjit për parandalimin dhe luftimin e krimeve të rënda, ku janë të përfshirë edhe komponente për zbatim të ligjit.

“Ne kemi pasur bashkëpunim të mirë edhe me herët, qoftë me policinë, qoftë në forma të tjera, të cilat tani janë konkretizuar në formë më të saktë. Është shumë me rëndësi që të kemi edhe shkëmbimin e informatave dhe vizitave të kohë pas koheshme studimore të komponetave të policisë dhe të tjera, në mënyrë që të parandalojmë forma të ndryshme të krimit të organizuar, trafikimit me armë, qenie njerëzore, etj”, theksoi Rexhepi.

“Ky bashkëpunim është me rëndësi, sidomos tani pas marrjes së Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, i cili na obligon që me shumicën e shteteve të BE-së të kemi edhe atashetë policor dhe Suedia do të jetë vendi i parë që e pranon me dëshirë që ne të identifikojmë dhe të dërgojmë një atashe policor, i cili do të ndihmonte në një bashkëpunim shumë më të mirë në shkëmbimin e informatave”, tha ministri Rexhepi.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë në Mbretërinë e Suedisë, Beatrice Ask, tha se kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Qeverinë e Kosovës, mirëpo është me rëndësi që të  kemi edhe në marrëveshje dy palëshe për të çuar përpara këtë bashkëpunim. (LajmeShqip.com)