Tiranë – Në 70-vjetorin e lindjes së aktorit Robert Ndrenika bëhet publike krijimi i një teatri të ri, që do të shëtis shfaqjet artistike në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Me pjesëmarrjen e një grupi aktorësh të rinj, Teatri Shëtitës krijohet me synimin për të zgjeruar hapësirat teatrore shqiptare, nën drejtimin e regjisorit Kiço Londo. Ky i fundit është shprehur se ka zgjedhur ta bëj publike sot, në ditën e lindjes së aktorit Robert Ndrenika, këtë inisiativë të re, pasi ky aktor i teatrit shqiptar është një nga pionerët e studios së të rinjve të TK-së, që punoi nën drejtimin e regjisorit Kujtim Spahivogli, është aktori i shfaqjes së parë “Harvey” të themelimit të Teatrit të Metropolit në Tiranë dhe njëherësh kumbar i sallës “Shekspir” në Teatrin e Metropolit.
Shfaqja e parë e këtij teatri do të hapet me një pjesë për fëmijë në qytetin e Pukës. “Zërat e detit” do të jetë shfaqja e parë për fëmijë, shkruar nga Milena Selimi, e cila do të vihet në skenë nga regjisori i ri Endri Çela.
Dy shfaqjet e tjera të Teatrit Shëtitës do të jenë komedia “Jo vetëm gënjeshtra, bëj diçka”, shkruar nga Michael Pertwee, me regji të Kiço Londos dhe tragji-komedia “Vizita e damës plakë” e autorit Fridrih Dyrrenmat, përkthyer nga Ardian Klosi. Bëhet e ditur pjesëmarrja e aktorit Luftar Paja në komedinë “Jo vetëm gënjeshtra, bëj diçka”si dhe pjesëmarrja e aktores Tinka Kurti.
Këto shfaqje të para të Teatrit Shëtitës do të vihen në skenë në Teatrin Bylis të Fierit, me pjesëmarrjen e aktorëve të këtij teatri dhe aktorëve të tjerë të rinj nga trupat teatrore shqiptare.
Wednesday, 11 January 2012 10:10