Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 15:48

Kredia për ekonominë vazhdon të rritet me hap të kujdesshëm. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit Shkurt, totali i kredisë për ekonominë arriti në 542.6 miliardë lekë, me një rritje mujore prej rreth 0.4%, ndërkohë që rritja vjetore ishte pranë nivelit 11%.

Këto të dhëna tregojnë se as fillimi vitit 2012 nuk ka sjellë ndryshime thelbësore në ritmet e kreditimit të ekonomisë. Pavarësisht nga uljet e njëpasnjëshme të normës bazë të interesit, duke filluar nga muaji shtator, ritmet vjetore të rritjes së kredisë ngelen në vlera të përafërta.

Deri në fund të vitit 2011, ulja e çmimit bazë të parasë pati gjetur një reflektim modest në çmimet e kredive, por duket se lëvizjet e Bankës Qendrore nuk po arrijnë të jenë një faktor përcaktues në rritjen e volumit të kreditimit. Përkeqësimi i gjendjes së ekonomisë ka sjellë dobësim të kërkesës nga publiku dhe forcim të standardeve të huadhënies nga bankat.

Kujdesi i shtuar i bankave lidhet gjithashtu me rritjen e përqindjes së kredive me probleme, tregues që sidoqoftë në muajt e fundit ka dhënë shenja stabilizimi. Gjatë muajit shkurt, rritja e kreditimit ka qënë më e ekuilibruar mes segmentit të biznesit dhe atij të individëve, që janë rritur secili me 0.4 pikë përqindjeje.

Megjithatë, në vlerë absolute, është biznesi që vazhdon t’i japë shtysën kryesore rritjes së kreditimit, me rreth 1.5 miliardë lekë shtesë portofoli, nga 2.3 miliardë lekë që ishte rritja gjithsej.