Tiranë-Kreditimi i konsumit në vend njohu përmirësim gjatë vitit të kaluar. Kredia konsumatore, duke përfshirë edhe paradhëniet bankare ose overdraftet, shënoi një rritje vjetore prej 10.2%.
Kjo normë rritjeje është pranë mesatares së kreditimit të sektorit privat për vitin 2011, ndërkohë që është ndjeshëm më e lartë krahasuar me kreditimin total të individëve, që vitin e kaluar pësoi një tkurrje me 0.4%.
Përmirësimi i kredisë konsumatore është një tregues inkurajues për sa i takon konsumit të brendshëm, që, duke ju referuar Bankës së Shqipërisë dhe Instat, është karakterizuar nga një prirje dobësuese.
Ndër tre qëllimet e kreditimit të individëve, kredia konsumatore është ajo që ka regjistruar ecurinë më pozitive gjatë vitit të kaluar.
Kredia për blerje pronash pati një rritje shumë të ulët, ndërsa kredia për sipërmarrjet e individëve ishte madje në rënie të ndjeshme.
Me sa duket, bankat kanë zgjedhur të veprojnë më shumë në kreditë konsumatore, sepse ato kanë vlerë mesatare më të ulët dhe, si rrjedhojë, krijojnë një ekspozim kreditor më të ulët tek një klient i vetëm.
Kjo lejon një shpërndarje më të mirë të rrezikut të kredisë. Kreditë konsumatore jepen tek klientë që janë pothuajse gjithmonë pagamarrës apo persona që derdhin të ardhurat e tyre rregullisht në bankë, çka e bën profilin e tyre kreditor më të besueshëm dhe më të kontrollueshëm. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 March 2012 21:00