Ish-Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi e ka gjetur fajtorin kryesor për bllokadën politikë në Kosovë. Ai është Hashim Thaçi.
Por, përgjegjësi për bllokadën, Krasniqi, i lë edhe Isa Mustafës.
“Edhe pse Thaçi është gjellëbërësi kryesor i kësaj gjelle të keqe, ai është në një pozitë shumë më të mirë se Kryeministri i cili e ka marrë në dorë një patate të nxehtë dhe të cilës nuk po mund t’ia gjejë vendin”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për Gazetën Fjala.
Por, cila është zgjidhja më e mirë?
Jakup Krasniqi e ka përgjigjen.
“Nëse Kryeministri nuk e tërheq nënshkrimin, ai duhet ti jep mundësi një moratoriumi e pastaj zgjedhjeve të parakohshme. Kjo ndoshta është zgjedhja më e mirë”, ka shtuar ai.
Jakup Krasniqi është njëri prej politikanëve edhe sa ka qenë në pushtet me PDK’në ka pasur raporte të mira me Vetëvendosjen e AAK’në.
Por, ka qëndruar larg kur këto parti tentonin të ndërtonin Qeverinë e re të Kosovës, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Sidoqoftë, Lideri shpirtëror i Vetëvendosjes, Albin Kurti i kishte futur njerëzit e LDK’së, AAK’së e NISMA’s në kategorinë e hajnave të ligës së dytë.
Pavarësisht kësaj, Krasniqi thotë se opozita aktuale, VV, AAK e NISMA duhet të shkojnë në zgjedhje të reja të bashkuar.
“Nuk do të kishte kuptim që kjo opozitë e bashkuar mos të shkonte e bashkuar edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, ka deklaruar ai.
Jakup Krasniqi për herë të parë ka folur fjalë të mira edhe për Kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin. Ka thënë se është duke vepruar me zgjuarsi në raport me deputetët e opozitës, të cilët po e bllokojnë punën e Kuvendit.,
“Kryetari Veseli është duke vepruar me zgjuarsi do të dëshiroja që ai të vepronte me përgjegjësi, pasi ka një situatë të re”, ka thënë Jakup Krasniqi.
Sunday, 11 October 2015 13:01