Lajme Shqip Friday, 27 January 2012 18:13

Prishtinë- Koordinimi i aktiviteteve që kanë të bëjnë me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ishte temë qendrore e takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës,  Jakup Krasniqi, me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Aldo Bumçi. 

Ministri Bumçi tha se 100-vjetori i  Pavarësisë së Shqipërisë, pa Kosovën e pavarur, nuk do të kishte rëndësinë dhe jehonën që i përket.

Në këtë frymë, ai theksoi se trashëgimia kulturore është një tërësi, ndërsa krijimi i hapësirave të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës po sjell prurje të reja dhe të dobishme për kombin,  në të gjithë fushat e jetës, e posaçërisht në rrjedhat kulturore.

Nga ana e tij, Krasniqi theksoi se 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë hap një epokë të re për kombin shqiptar. Sa i përket çështjes së  diasporës, bashkëbiseduesit ishin unikë në konstatimin se pa marrë parasysh se nga vjen ajo, pra nga Kosova, Shqipëria, ose viset e tjera shqiptare, ajo është një dhe ashtu duhet të trajtohet.

Në këtë vështrim edhe qendrat kulturore që hapen nga Kosova në vende të ndryshme të botës duhet të jenë të përbashkëta, njoftoi zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.