Tiranë – Pas numërimit, deri tani, të 61 kutive me vota të kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha numëron 105 vota në favor të tij, kundrejt 38 votave të numëruara për kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama.
Mbledhja e sotme e KQZ-së, e nisur rreth orës 9:30 me hapjen e kutive, nisi me debate mes përfaqesuesve të të dy palëve lidhur me rakordimin e numrit te votave në kutitë e hapura.
Përfaqësuesit e opozitës pretendojnë për mosrakordim votash, ndërkohë që drejtuesit e KQZ e konsiderojnë këtë pretendim të pabazë. Sipas tyre, “KQZ është në momentin e numërimit të votave të rregullta dhe që janë të pallogaritura”.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke argumentuar procedurën e votave të panumëruara tha se edhe pas zgjedhjeve të 2009-s janë numëruar kutitë e Fushë Kuqes dhe të Fierit.
“Në këtë procedurë të Komisionit prevalojnë të drejtat kushtetuese të shtetasve për të lexuar drejt votën e tyre”, tha kreu i KQZ-së.
Por, në vijimësi nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi e ka quajtur këtë procedurë antiligjore. “Në asnjë rast nuk thuhet që KQZ mund të bëjë numërimin e votave të panumëruara dhe Kodi zgjedhor në asnjë rast nuk thotë që KQZ-ja të kthehet në KZAZ”, tha ajo.
Gjatë paraditës së sotme KQZ numëroi 8 kuti, ndërsa mbeten për t’u numëruar edhe 25 kuti të tjera, të cilat i përkasin KZAZ-së 52, njësia nr. 8 dhe KZAZ-së 53, njësia bashkiake nr. 9.
Friday, 20 May 2011 16:14