Lajme Shqip Monday, 11 November 2013 15:59

Prishtinë-  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të rinumërojë rezultatet në 61 vendvotime në gjithë Kosovën. Ky ka qenë rekomandimi i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Koordinatori i kësaj qendre ka njoftuar se shkak për rinumërim janë parregullsitë e ndryshme dhe se ato nuk mund të pranohen si të rregullta. “Nga to 26 janë për kryetarë komunash dhe 52 kuti votimi për këshilltarë të kuvendeve të komunave. Ka kryesisht ngatërrim rubrikash dhe mospërputhje ndërmjet numrit të fletëvotimeve të pranuara, të përdoruara dhe të papërdorura dhe kanë munguar shiritat e sigurisë”, ka thënë Burim Ahmetaj, transmeton ktv.

 Është njoftuar gjithashtu se në karantinë vazhdojnë të qëndrojnë kutitë e 534 vendvotime për shkak të procedurave të QNR-së që ato nuk mund të pranohen tani për tani si të rregullta për shkak të mospërputhjeve. 
Ndërkaq, nga rezultati përfundimtar është marrë vendim të përjashtohen 8 vendvotime për shkak se mungojnë listat e votuesve nga ato vendvotime, prej tyre janë 3 në Leposaviq, 3 në Prizren dhe 2 në Zveçan. Por, nëse QNR arrin që gjatë ditës të sigurojë këto lista të votuesve nga komisionet komunale zgjedhore, atëherë edhe ato do të futen në rezultatin përfundimtar. 
QNR-ja ende nuk ka statistika se sa fletëvotime janë të pavlefshme në tërë Kosovën.