Tiranë – Pas procesit të zgjedhjeve vendore të 8 majit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë paraqitur deri më tani rreth 100 kërkesa ankimore nga subjektet elektorale.
Sipas burimeve zyrtare nga KQZ, me përmbylljen e procesit për vlerësimin e fletëvotimeve të pavlerësuara dhe të panumëruara për bashkinë e Tiranës, KQZ po vijon punën me shqyrtimin e kërkesave ankimore.
Numri i kërkesave ankimore të paraqitura në KQZ për periudhën parazgjedhore ishte gjithsej 58, nga të cilat u pranuan 33, ndërsa pjesa tjetër u rrëzua. Nga ky numër kërkesash ankimore 10 çështje u ankimuan edhe në Kolegjin Zgjedhor, i cili la në fuqi 6 nga vendimet e KQZ-së, ndërsa rrëzoi katër vendimet e tjera.
I përllogaritur në total, numri i ankimimeve të depozituara në Komisionin Zgjedhor është 159, ndërkohë që puna e këtij institucioni është fokusuar në trajtimin e plotë dhe në një kohë sa më të shpejtë të tyre për të lehtësuar ecurinë e procesit të përfundimit të kërkesave ankimore edhe në Kolegjin Zgjedhor, e më pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve vendore 2011.
Wednesday, 25 May 2011 09:53