Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mes debatesh të ashpra ka nisur kqyrjen e kutive me fletët e kontestuara të votimit të ardhura nga KZAZ-të.
Duke kqyrur materialet zgjedhore në kutinë 1759 të KZAZ-së nr. 47, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tregoi para mediave dhe të pranishmëve fletët e votimit ku zgjedhësi ka shprehur vullnetin e tij. Në këtë kuti rezultojnë dy fletë votimi për kryetar të bashkisë Tiranë, ku në të dyja fletët është shënuar kandidati i “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha.
Kryetari i KQZ-së Arben Ristani tha se këto dy fletë në favor të kandidatit Basha do të futen në një zarf të veçantë, që do të numërohen më tej.
Nënkryetarja e KQZ-së, përfaqësuese e PS-së, Dëshira Subashi, reagoi ashpër duke e quajtur të paligjshëm një gjë të tillë, pasi sipas saj, fletët nuk kanë mbrapa shënimin e komisionerëve, ku kontestohen.
Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj, deklaroi se nuk ka perputhje të numrit të zgjedhësve me fletët e votimit në të dy kutitë, atë për kryetar dhe për këshillin bashkiak.
Në këtë kuti u gjetën dhe një fletë votimi për këshillin bashkiak, e votuar për Partinë “Demokracia Sociale”, një fletë tjetër e votuar për Partinë Republikane dhe një për Partinë Socialiste.
Wednesday, 18 May 2011 15:27