Tiranë – KQZ ka reaguar pas nxjerrjes së rezutaltit paraprak për Tiranën, ku fitues rezulton Lulzim Basha, duke sqarur se pse u bë numërimi i votave të KZAZ-ve të Tiranës. Në deklaratën e shpërndarë për media, sqarohet si më poshtë:
1. KQZ shqyrtimin administrativ të kërkesave dhe ankesave e bazon mbi dokumentacionin zgjedhor të administruar rregullisht, i cili, në gjuhën e ligjit, formon fillim prove për çdo shqyrtim administrativ. Mbarë opinioni publik e vuri re qartësisht se gjatë tërë këtyre ditëve KQZ e fillonte shqyrtimin e kutive nga kërkesat e KZAZ-ve dhe nga leximi dhe verifikimi i procesverbaleve dhe protokolleve të tyre. Kudo ku kishte gjurmë në dokumentacionin zyrtar të KZAZ-ve, për vota të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar, hapej kutia dhe vlerësoheshin e numëroheshin këto vota. Ky proces nuk ishte aspak selektiv, por gjithëpërfshirës.
2. Që KQZ ishte e vendosur të numëronte çdo votë e konfirmon fakti i bërë publik gjatë transmetimit ‘live’ të mbledhjeve, kur kryetari i Komisionit i kërkonte në mënyrë të përsëritur subjekteve pjesëmarrëse në proces e të paraqisnin çdo sinjal, informacion apo dokumentacion që lejonte identifikimin e këtyre votave dhe të kutive ku ishin hedhur ato.
3. Që procesi ishte gjithëpërfshires e konfirmon fakti se janë të pakten 11 kuti (QV-të 1818, 1821, 1822, 1823, 1845, 1828/1, 1829/1, 1845/2, 1850, 1850/1), të cilat janë marrë në shqyrtim dhe janë verifikuar gjatë transmetimit ‘live’ nga salla e mbledhjeve të KQZ-së, pavarësisht se KZAZ-të respektive nuk i kishin identifikuar, por ku proceseverbalet e tyre kishin shënime për vota të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar.
Përtej pretendimeve të gënjeshtërta dhe dezinformuese të hedhura në shtyp, KQZ rithekson dhe njëherë se vullneti i saj, për të vlerësuar dhe numëruar çdo votë të panumëruar të shqiptarëve është një parim i palëkundur ligjor, të cilit Komisioni i përmbahet me fanatizëm.
Tuesday, 24 May 2011 20:03