Lajme Shqip Tuesday, 13 September 2011 15:55

Tiranë – “Reforma e ardhshme duhet të përfshijë edhe institucionet përgjegjëse si KQZ dhe organizatat e shoqërisë civile, të specializuara në çështjet zgjedhore”. Ky është qëndrimi i përbashkët i shprehur gjatë takimit që kryetari i misionit të ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit, Jonathan Stonestreet zhvilloi sot me kryeministrin Sali Berisha.

Zyra e shtypit e kryeministrisë bëri të ditur se gjatë këtij takimi, kreu i ekzekutivit çmoi raportin e ODIHR si realist e që vë në pah progresin e zgjedhjeve te 2011 karshi zgjedhjeve te shkuara ne permbushjen e standarteve si dhe nevojat për përmirësim të procesit zgjedhor.

Ai u shpreh se cilësimi i zgjedhjeve si transparente dhe kompetitive eshte nje vleresim që përmbledh të gjitha standartet që ka arritur procesi zgjedhor i 2011.

Berisha nënvizoi se “rekomandimet e ODIHR-it në raportin e vitit 2011 së bashku me rekomandimet e vitit 2009, përbëjnë një bazë shumë të mirë procesin e reformës zgjedhore”, ndërsa siguroi delegacionin e ODIHR se “mazhoranca ka vullnetin e plotë për t’i trajtuar të gjitha rekomandimet në mënyrë konsensuale me opozitën dhe se ajo është e gatshme që puna për to të fillojë menjëherë me ngritjen e komisionit parlamentar”.

Kryeministri Berisha theksoi se tryeza e reformës zgjedhore e iniciuar nga mazhoranca në vjeshtën e vitit 2010 kishte pikërisht këtë frymë gjithëpërfshirëse dhe është një precedent i mirë në këtë drejtim.

Ndërsa Stonestreet falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen si dhe çmoi asistencën dhe bashkëpunimin që qeveria shqiptare i ofroi misionit vëzhgues përgjatë periudhës së vëzhgimit.

Ai gjithashtu vlerësoi deklaratën e bërë nga kryeministri pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR.

Kryeministri ftoi ODIHR dhe Komisionin e Venecias të japin ekspertizën e tyre në procesin e reformës dhe rikonfirmoi qëndrimin se mazhoranca mirëpret propozimet e opozitës të bazuara në rekomandimet e ODIHR dhe të çertifikuara nga këto dy institucione prestigjioze.

Në përfundim z.Stonestreet e mirëpriti ftesën dhe siguroi për gadishmërinë e ODIHR që në bashkëpunim me Komisionin e Venecias të asistojnë procesin e ardhshëm të reformës zgjedhore.