Lajme Shqip Friday, 11 May 2012 13:32

Prishtinë -Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulz, në një intervistë për median kosovare tha se EULEX-i nuk duhet të ndërmarrë rolin e një policie mbi-kombëtare, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në çështjet e brendshme të Kosovës.

“EULEX-i është organizatë ndërkombëtare e të huajve dhe EULEX-i duhet të kontribojë që institucionet kosovare të merren vetë me çështjet e caktuara, dhe mos të marrë rolin e një policie mbi-kombëtare duke ndërhyrë direkt në çështjet e brendshme”, ka thënë Shulz.

Ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Anders Fog Rasmusen, pati thënë se EULEX-i nuk ka burime të mjaftueshme dhe se KFOR-it po i duhet që të ndërmarrë barrën përsipër, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, ku misioni evropian ende nuk ka shtrirë autoritetin e tij.

Shulz ka thënë se EULEX-i, ka bërë shumë për të përmirësuar situatën e sigurisë, por, ka disa çështje, që, sipas tij, duhet të veprojnë më shumë strukturat vendore.

“EULEX-i ka bërë shumë për të përmirësuar situatën e sigurisë për të mbështetur krijimin e strukturës gjyqësore. Por, dyshoj se mund të bëjnë më shumë për krimet e luftës, sepse suksesi në këtë fushë gjithnjë ka ardhur atëherë, kur vetë shtetet përkatëse janë marrë me këtë gjë”, ka theksuar Shulz. (LajmeShqip.com)