Lajme Shqip Wednesday, 08 May 2013 09:57

Beograd – Prefekti i të ashtuquajturit Qark i Kosovës, Vlladeta Kostiq, ka theksuar në Beograd se Marrëveshja e Brukselit është pa alternativë për serbët e anës jugore të Ibrit. Sipas tij, konflikti me Beogradin për serbët e Kosovës do të ishte baras me vetëvrasjen. Ai ka theksuar se shefat e qarqeve në jug të lumit Ibër mbështesin Marrëveshjen e parafuar muajin e shkuar në Bruksel, meqë s’ka një alternativë tjetër, raportojnë mediat serbe.

Edhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se të ashtuquajturit prefektë të qarqeve jugore të Kosovës kanë pranuar marrëveshjen, ndërsa ata të pjesës veriore vazhdojnë ta refuzojnë. Vuçiq ka thënë se ka pasur lëvizje përpara dhe se të dielën, gjatë vizitës në Kosovë, do t’i vazhdojë bisedimet me ta.

Sipas mediave serbe, ai ka bërë të ditur se Serbia ka pranuar argumentet e serbëve nga pjesa veriore e Kosovës dhe u ka ofruar referendum në të cilin ata do të kishin përparësi me pyetjen: “A jeni për marrëveshje apo jo”.

Sipas tij, pjesa veriore e Kosovës dhe serbët në jug të Ibrit, pas marrëveshjes, për herë të parë do të gëzojnë investime serioze të jashtme, së paku dy projekte të mëdha, kurse Serbia do të nxisë numër të rëndësishëm firmash familjare, përkatësisht biznese të vogla e të mesme.