Lajme Shqip Sunday, 06 May 2012 13:51

Prishtinë -Në Kosovë votohet sot për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.
“Të gjitha 90 vendvotimet e OSBE-së në Kosovë janë hapur sot deri në ora 08:15”.

“Kam kënaqësinë të raportojë se të gjitha 90 vendvotime në 28 lokacione janë hapur këtë mëngjes,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer. “Kishte pak vonesa të natyrës teknike në disa lokacione por të gjitha tashmë janë zgjidhur”, shtoi ai.

“OSBE ka mundësuar që personat me të drejtë vote në Kosovë të ushtrojnë të drejtën për të votuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë”, thekson misioni. Qeveria e Republikës së Kosovës ka mirëpritur vendimin e OSBE-së për lehtësimin e votimit për qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë, duke theksuar se ky vendim i OSBE-së është i bazuar në parimet dhe vlerat evropiane.

“OSBE-ja po e ndërmerr një veprim të tillë me kërkesën e qeverisë së Republikës së Kosovës, për të mundësuar votimin e qytetarëve të  Republikës së Kosovës, që i takojnë komunitetit serb dhe kanë dyshtetësi, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, theksohej ditë më parë në një deklaratë  të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ndërsa, media ka paralajmëruar se strukturat ilegale serbe që do t’i organizojnë zgjedhjet lokale në dy komuna verore të Kosovës, Zveçan dhe Zubin-Potok. Shqiptarët qëndrojnë larg këtyre zhvillimeve dhe provokimeve të mundshme. Në afërsi të vendvotimeve, sipas medieve serbe, shihet prezenca e policisë lokale, e cila është e obliguar të ruaj rendin dhe qetësinë, ndërsa para vendvotimeve duket flamuri i OSBE-së. (LajmeShqip.com)