Prishtinë – Kosova ka përmbushur shumë më shumë kushtet teknike për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave sesa vendet e rajonit kur ishin në këtë fazë, thanë zyrtarët e qeverisë pas takimit të Grupit punues për Liberalizimin Vizave me BE-në.
Procesi i liberalizimit të vizave, sa teknik është edhe politik, gjë që ka ndikuar që Kosovës mos t’i jepet udhërrëfyesi për liberalizim nga Komisioni Evropian, përkundër që Kosova ka përmbushur kushtet për marrjen e tij.
Kështu vlerësoi ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku pas takimit të Grupit punues për Liberalizimin Vizave me BE-në, ku është vlerësuar se dinamika e përmbushjes së kritereve për liberalizim po ecën mirë.
Ministrja Çitaku tha se në momentin e marrjes së udhërrëfyesit Kosova në afat rekord do të përbush kushtet për liberalizim.
Mirëpo, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi shprehu shqetësimin se Kosovës po i ngarkohen kushtet shtesë nga dështimet që po evidentohen te vendet e rajonit që kanë përfituar liberalizimin.
Ministrat Çitaku e Rexhepi thanë se do ta shfrytëzojnë edhe vizitën e shefit të Komisionit Evropian, Barroso, në Prishtinë, që të kërkojnë përshpejtim të procesit.
Thursday, 19 May 2011 14:26