Lajme Shqip Monday, 28 May 2012 19:19

Prishtinë (PLOTESUAR 19: 30)- Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës si dhe pozita e komunitetit turk në Kosovë, kanë qendër në qendër të bisedimeve në takimin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pati me një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Turqisë.

Kryeparlamentari Krasniqi ka pritur të hënën kryetarin i këtij Komisioni, Volkan Bozkir, i cili ka premtuar anëtarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO.Me këtë rast, Bozkir ka thënë se zhvillimi shoqëroro-ekonomik i Kosovës do të ndikojë pozitivisht në arritjen e stabilitetit të gjithmbarshëm në Kosovë. Ndërkaq, angazhimi për njohje të Kosovës nga sa më shumë vende është prioritet për Turqinë, duke shtuar se në qëndrimin ndaj Kosovës, nuk ka ndarje ndërmjet pozitës dhe opozitës turke.

Ai po ashtu ka shtuar se Turqia në çdo aspekt është me Kosovën, sidomos kur është fjala për integrimin euro-atlantik. “Në ulëset e NATO-s, shpejt do të ulemi së bashku”, theksoi Bozkir. Sa i përket bisedave me Serbinë, ai tha se marrëveshjet e arritura duhet të realizohen, ndërsa shprehu besimin se paqja do të mbretërojë edhe në veri të Kosovës.(LajmeShqip.com)

*********************************************

Prishtinë -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot një delegacion të Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, të kryesuar nga kryetari i këtij Komisioni, Volkan Bozkir, në një takim ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Kryeministri Thaçi vlerësoi lart bashkëpunimin e qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Turqisë, dhe po ashtu u shpreh se edhe parlamentet e dy vendeve kanë ndërtuar një bashkëpunim të rëndësishëm. “Ky bashkëpunim institucional çdo ditë e më tepër është duke u rritur, duke dhënë kështu rezultate të rëndësishme në të gjitha sferat”, tha kryeministri Thaçi.

Ai riafirmoi përcaktimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e reformave të gjithanshme në ekonomi, politikë dhe legjislacion, për implementimin e vizionit për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, të gjitha këto në funksion të përmushjes së axhendës evropiane të integrimit.

Kryeministri Thaçi në takimin me parlamentarët turq shprehu mirënjohjen më të lartë shtetërore të Kosovës për angazhimin e institucioneve shtetërore të Turqisë për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin demokratik të Kosovës.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Turqisë, Volkan Bozkir, theksoi se mbështetja e institucioneve të Turqisë për forcimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të Kosovës, si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë ekonomik, do të vazhdojë të rritet edhe më shumë. (LajmeShqip.com)