Prishtinë (PLOTESUAR 19:00) Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet dhe kriteret e nevojshme demokratike, theksoi Kryeministri Hashim Thaçi, pas takimit që zhvilloi sot me Komisionerin e lartë për Zgjerim të BE-së, Stefan Füle. 
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim Komisionerin e lartë për Zgjerim të BE-së, Stefan Füle, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë. Pas takimit kryeministri Thaçi dhe komisionari Fyle dhanë një konferencë shtypi.
Thaçi përshëndeti vizitën e zotit Füle në Kosovë, gjithashtu për fillimin e Studimit të Fizibilitetit, si dhe mundësinë e ofrimit të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Ai tha se ky akt është jashtëzakonisht i rëndësishëm në historinë e re të Kosovës në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Konkretisht, Kosovës i ofrohet mundësia për nënshkrimin e marrëveshjeve kontraktuale me Bashkimin Evropian. Kjo nënkupton trajtimin e njëjtë dhe të barabartë të Bashkimit Evropian edhe për Kosovën”, tha Thaçi.
Prandaj, shtoi ai, falënderoj Komisionarin Füle për prezencën e tij sot në Kosovë, gjithashtu edhe pjesëmarrjen e tij në formimin dhe themelimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian dhe fillimin e Studimit të Fizibilitetit, i cili ka për qëllim vlerësimin dhe skanimin e gjendjes praktike në Kosovë dhe rekomandimin e fillimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Mendoj, shtoi ai, se ky është një hap i rëndësishëm i përkushtimit të përbashkët të politikës, institucioneve, shoqërisë civile, është një konsensus shtetëror, politik dhe qytetar për të ardhmen evropiane të Kosovës.
“Prezenca e sotme e z. Füle në Prishtinë është mbështetje dhe inkurajim i ri për neve. Në ditët e ardhshme, ministrat e Qeverisë së Kosovës do të jenë në Bruksel. Shumë shpejt presim të marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kosova do t’i përmbushë të gjitha obligimet dhe kriteret e nevojshme demokratike në mënyrë që të lëvizim shpejt në një afat rekord për implementimin e këtyre kritereve dhe përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian”, theksoi Thaçi.
*************************
Prishtinë (PLOTESUAR 15:30) Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, tha sot në Prishtinë,”se viti 2012 është një vit i mundësive për Kosovën”. Duke shprehur
kënaqësinë që ka marrë pjesë në takimin e parë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, ku u dorëzoi udhëheqësve me të lartë të vendit Dokumentin e fillimit të Studimit të Fizibilitetit për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për Kosovën , Fule theksoi në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga se, “e mirëpres këtë qasje gjithëpërfshirëse meqë është thelbësore për përshpejtimin e përparimit të Kosovës drejt BE-së”.
“Ne e kemi filluar formalisht studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Kjo e shtyn përpara axhendën evropiane për Kosovën. Studimi i fizibilitetit për Kosovën do të hapë një epokë të re në marrëdhëniet tona. Kosova duhet të përqendrohet në çështjet që janë të një rëndësie imediate për studimin e fizibilitetit”, tha Fule duke shtuar se do të doja që të nënvizoja disa prej tyre si, tregtia, reforma në administratën publike, reforma zgjedhore, sundimi i ligjit dhe integrimi i pakicave.
Komisioneri Fule tha se, “është me rëndësi që të sigurohet se kjo reflekton progres maksimal në zbatimin e axhendës së reformës evropiane dhe se kjo kërkon një mbështetje të gjërë publike dhe përkushtim të të gjithë spektrit politik”.
“Viti 2012 është një vit i mundësive për Kosovën. Studimi i fizibilitetit është një hap i rëndësishëm. Kjo është pjesë e një axhende ambicioze të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, theksoi Fule.
Në këtë kontekst, ai theksoi pritjen që udhërrëfyesi për vizat t’i prezantohet Kosovës gjatë kësaj pranvere. “Ne gjithashtu presim përparim, gjatë këtij viti, në hapjen e programeve të BE-së dhe anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në fund të muajit maj do të fillojë dialogu i strukturuar në sundimin e ligjit”, potencoi Füle.
Ne, shtoi ai, po punojmë ngushtë me autoritetet e Kosovës në planet e tyre për axhendën afatgjate dhe gjithëpërfshirëse për veriun. “Sikur e thashë edhe në hapjen e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane është thelbësore që të gjitha forcat politike në Kosovë të mbështesin ndërtimin e besimit në mënyrë gjithëpërfshirëse, ashtu që të ketë komunikim të mirëfilltë dhe integrim, jo konfrontim”, theksoi Fule.
Presidenten Jahjaga tha se, “takimi i sotëm inaugurues i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian të Kosovës ishte informues dhe referues me paraqitjen e pikëpamjeve që të harmonizohemi dhe të koordinohemi, në mënyrë më të efektshme brenda institucioneve, që t’i kryejmë të gjitha ato detyra që kërkohen prej nesh”.
“Sot ishim këtu të dëshmojmë përkushtimin tonë, synimin tonë dhe dëshirën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim, që alternativa jonë e vetme është të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, dhe gjithashtu po e them këtu sepse kjo është e ndërlidhur me politikat e sigurisë rajonale dhe globale, ne dëshirojmë dhe po ndërtojmë kapacitete të nevojshme që të bëhemi anëtar i NATO-s duke dhënë kontributin tonë në misionet humanitare dhe paqeruajtëse”, tha ajo.
Ky Këshill Kombëtar, sipas presidentes Jahjaga, përveç simbolikës së vet dhe drejtimit nga ajo si Presidente e vendit dhe faktor i unitetit do të zhvillojë veprimtari konkrete duke mos qenë organ ekzekutiv, por vend i zbatimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në përbërje më të gjerë institucionale pozitë, opozitë dhe shoqëri civile.
Presidentja Jahjaga zhvilloi edhe një takim të veçantë me Stefan Fule, Komisioner për Zgjerim i BE-së, ku bisedoi për një varg çështjesh me interes, për punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, rolin e tij, për integrimin e mëtejshëm të minoriteteve, për dialogun dhe domosdoshmërinë e implementimit të marrëveshjeve të dala nga ky dialog e çështje të tjera.
**************************
Prishtinë- “Studimi i fizibilitetit për Kosovën do të hapë një fazë të re të marrëdhënieve tona”, tha Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule në një konferencë shtypi, të mbajtur pas takimit inaugurues të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian të Kosovës, ku zyrtarisht u shpall fillimi i studimit të fizibilitetit.
Presidentja Atifete Jahjaga, tha se “sot ishim këtu për të dëshmuar përkushtimin tonë, synimin dhe dëshirën e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim që alternativa jonë e vetme është të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian”.
Në takimin e sapopërfunduar të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian të Kosovës morën pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, lideri i opozitës Isa Mustafa – kryetar i LDK, zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve e udhëheqës të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe diplomatë të akredituar, të vendeve të quintit.
Para inaugurimit të Këshillit, Fule është pritur në takim nga presidentja Atifete Jahjaga, ndërsa tani do pritet edhe nga kryeministrii Hashim Thaçi, si dhe anëtarë të tjerë të qeverisë.
*******************************
Prishtinë – Në Kosovë, që prej ditës së sotme ka nisur punën një institucion i ri që quhet Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane.
Ky këshill do të funksionojë nën udhëheqjen e Atifete Jahjaga. Gjatë takimit të themelimit të këtij Këshilli, komisionari për zgjerim Shtefan Fyle ka hapur edhe zyrtarisht procesin e hartimit të studimit të fizibilitetit për Kosovën.
Komisionari Fyle tha se studimi do të identifikojë edhe sfidat që duhet përmbushur tutje, në mënyrë që edhe Kosova një ditë të mund të negociojë për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Në themelimin e këtij këshilli morën pjesë edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi. I pari i Kuvendit të Kosovës tha se për vendin nuk ka asnjë rrugë tjetër veç në familjen evropiane.
Kurse, Kryeministri Hashim Thaçi tha se përmes këtij këshilli vendi do të krijojë një vizion të qartë. Ai tha se integrimi evropian tashmë është prioriteti kryesor i vendit.
Në takimin e sotëm, vec krerëve institucionalë morën pjesë edhe lideri opozitar Isa Mustafa si dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare.
Tuesday, 27 March 2012 11:54