Lajme Shqip Wednesday, 25 May 2011 17:27

Prishtinë – Në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, janë miratuar të gjitha pikat e rendit të ditës, përveç pikës së gjashtë, e cila është shtyrë për shkak se, sipas kryeminstrit Thaçi, kërkohen edhe disa pika shtesë.

Thaçi ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të punojë fuqishëm për realizimin apo implementimin e të gjitha kritereve demokratike, të domosdoshme për këto procese të rëndësishme për Kosovën.

Ndërkohë, duke folur për vizitën e Barrosos dhe Fyles në vendin tonë, Thaçi ka deklaruar se ka qenë vizitë shumë e suksesshme, me mesazhe të qarta për të ardhmen e sigurt të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe strukturat tjera euroatlantike, që të hapet sa më shpejtë procesi i dialogut për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënie ndërkombëtare me BE-në.

Kreu i ekzekutivit, po ashtu, ka theksuar se në kuadër të agjendës evropiane për Kosovën dhe rajonin, por edhe në kuadër të agjendës së Qeverisë së Kosovës dhe koordinimit të politikave Prishtinë-Bruksel, do të jetë edhe vizita e baroneshës Ashton këtë të premte në Prishtinë, ku, sipas tij, “do të fuqizohet angazhimi i qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës për të ardhmen më të shpejtë evropiane të Kosovës”.

Ndërkohë, pas mbledhjes së Qeverisë dhe në mungesë të zv/kryeministrave, para gazetarëve u paraqit ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.

Duke iu përgjigjur intersimit të gazetarëve për Ligjin mbli vlerat e luftës, ai ka thënë se Qeveria e ka dërguar ligjin për miratim në Kuvend dhe pritet që shumë shpejt të miratohet.

Kurse, duke folur për numrin e shtuar të minitrave dhe zv/ministrave, Krasniqi ka deklaruar se këto ndryshime janë pjesë e programit qeverisës.

Ndërkaq, është miratuar edhe kërkesa e MPJ-së që shtetit të Santa Lucias t’i ndahet një vlerë prej 20 mijë eurosh, që së fundi është goditur nga një katastrofë.