Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdare, në vazhdimin e Rrugës së Kombit të përfunduar në Shqipëri, si një kryevepër e parë e infrastrukturës në vend për pamjen e re të Kosovës evropiane.
“Kjo është rruga e zhvillimit të Kosovës, kjo është rruga e integrimeve euroatlantike”, është shprehur ai.
“Është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenien sociale të qytetarëve. Jam jashtëzakonisht i inkurajuar me faktin se rreth dy mijë qytetarë të Kosovës kanë gjetur punë në realizimin e këtij projekti dhe rreth gjashtëdhjetë kompani kosovare kanë kontraktuar punë në këtë projekt”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri dhe përfaqësuesit e kompanisë ndërtuese “Bechtel & Enka” janë shprehur se gjithçka deri tani është duke shkuar sipas planifikimit dhe rreth dyzet kilometrat e parë të autostradës do të përfundohen brenda këtij viti.
“Natyrisht që kjo është mrekullia e parë e infrastrukturës në Kosovë, por ne do të vazhdojmë edhe me realizimin e projektit të ndërtimit të autostradës nga Prishtina në drejtim të Shkupit”, ka thënë kryeministri Thaçi dhe ka vlerësuar se ky është një projekt që lidh popujt e vendeve të rajonit.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini, tha se është i impresionuar me punën që është duke u bërë në realizimin e këtij projekti.
Në vizitën gjatë pasditës së djeshme të punimeve në trasenë e autostradës Vermicë – Merdar, bashkë me Thaçin dhe Gentilinin ishin edhe ambasadorët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Ata shoqëroheshin edhe nga ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Wednesday, 08 June 2011 11:22