Prishtinë – Deri më 1 qershor serbët e Kosovës mund të qarkullojnë me targat e lëshuara nga Serbia, por pas kësaj date, çdo veturë me këto targa do të konfiskohet. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha për Radio Kosovën se nuk do të ketë shtyrje tjetër të afatit për targat serbe.
“Me 1 qershor përfundon dhe nuk ka kurrfarë shtyrje, munden vetëm me RKS ose KS. Ata që gjinden me to, iu konfiskohen, shkojnë tek gjyqtari për kundërvajtje dhe nuk lejohen të qarkullojnë nëpër Kosovë”.
Sekretari në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq tha se nuk është mirë të vihen afate të tilla. Megjithatë ai tha se nuk mund të komentojë shumë, duke pasur parasysh faktin se duhet të formohet fillimisht Qeveria e re në Serbi.
Sidoqoftë, sipas kryeshefit të Agjecionit për Regjistrimin Civil, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Blerim Camaj, është një numër i madh i serbëve që i kanë regjistruar automjetet me targat RKS dhe KS. Sipas tij, me KS janë pajisur 1359 serbë, ndërsa me RKS janë 4003.
Qeveria që nga viti i kaluar u kishte dhënë serbëve të Kosovës disa afate për ndërrimin e tabelave, duke iu mundësuar që nëse nuk duan të kenë targa RKS, të pajisen me targa KS, por jo t’i mbajnë edhe më tutje targat e lëshuara nga Serbia. Afati i fundit i dhënë gjatë muajit mars, ishte 1 qershori, dhe sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, nuk do të ketë afat tjetër. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 29 May 2012 16:43