Prishtinë – Ndërtimi i autostradës energjetike mes Shqipërisë dhe Kosovës së shpejti do të bëhet realitet. Nesër do të mbahet ceremonia zyrtare e fillimit të punimeve të linjës së transmisionit 400 kV mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri Hashim Thaçi, ministri gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, si dhe kryeshefat ekzekutivë të sistemit të transmetimit të energjisë dhe operatorët e tregut të Kosovës dhe Shqipërisë, KOSTT dhe OST, Fadil Ismaili dhe Sokol Ramadani, do të vënë gurthemelin e parë të linjës. Në këtë ceremoni do të jenë prezentë edhe përfaqësuesit e KfË-së, të sektorit të energjisë dhe komunitetit të donatorëve në Kosovë, bëhet e ditur sot në një komunikatë nga ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.
Sipas komunikatës, linja 400kV e transmetimit Kosovë-Shqipëri është një nga investimet më të mëdha në Republikën e Kosovës dhe është e rëndësisë së veçantë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Është një projekt i shëndoshë ekonomikisht dhe do t’i shërbejë prosperitetit të ekonomisë kosovare në të ardhmen.
Duke pasur parasysh rentabilitetin ekonomik të projektit, përveç grantit të qeverisë gjermane prej 16.5 milionë Euro, KfË Entëicklungsbank ka lëshuar një kredi të butë në vlerë prej deri 17 milionë Euro. Kjo është kredia e parë zhvillimore e dhënë nga një donator ndërkombëtar për një investim kapital në Republikën e Kosovës. Qeveria gjermane tanimë ka angazhuar 42 milionë Euro për Republikën e Shqipërisë për t’u implementuar nëpërmjet KfË-së për financimin e ndërtimit të kësaj linjeje transmisioni në territorin e saj.
Ky investim do të stabilizojë transmetimin e energjisë elektrike në Kosovë dhe do të mundësojë një shkëmbim të balancuar të energjisë elektrike me Shqipërinë. Për më tepër, projekti do t’i japë shtysë integrimit të sistemit të transmetimit të Kosovës në rrjetin e transmetimit të Evropës Juglindore dhe me këtë sistemit të gjerë të transmetimit të Evropës.
Zotimet e qeverisë gjermane për bashkëpunim financiar me Kosovën gjatë 12 viteve të fundit kapin vlerën e më shumë se 210 milionë Euro dhe fokusohen në përkrahjen e sektorit të energjisë, atij financiar dhe të ujit.
Sektori i energjisë, për të cilin qeveria gjermane që nga viti 1999 ka financuar mëse 100 milionë Euro për bashkëpunimin financiar është fushë kyçe e bashkëpunimit financiar gjerman me Kosovën. Bashkëpunimi fokusohet në nevojat afatgjata për investime në fushat e transmetimit, efiçiencës së energjisë dhe ngrohjes qendrore, përfundon komunikata.
Në fazat e përgatitjeve, burimet në Prishtinë kanë njoftuar se projekti për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri konsiston në ndërtimin e një linje te tensionit të lartë me gjatësi rreth 238 km, prej së ciles 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ndërtimi i linjës së tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, si dhe ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu, do të ndikojë në zhvillimin e tregut të të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike. Linja interkonektive 400kV Kosovë-Shqipëri, do të mundësojë shkëmbimin më të madh të energjisë në mes të dy vendeve, sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë.
Aktualisht, Kosova dhe Shqipëria janë të lidhura me një linjë interkonektive 220 kV.
Tuesday, 03 May 2011 17:14