Prishtinë – Edhe pse fitojnë miliona euro duke aplikuar norma të larta të interesit në kredi, disa banka nuk i kanë përmirësuar shërbimet për klientë.
Në dy prej bankave Procredit Bank dhe NLB Prishtina, qytetarëve u duhet të presin edhe nga një orë për të kryer një shërbim të thjeshtë. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se vetëm krijimi i kushteve për rritjen e numrit të bankave do të përmirësonte edhe shërbimet. Kurse, bankat në fjalë kanë bërë edhe rregulla në vete, që nuk lejojnë as mediat të xhirojnë tollovitë që shkaktohen si rrjedhojë ngathtësisë së tyre për të kryer shërbimet si duhet. Në Procredit Bank duhet një leje e veçantë për të xhiruar, kurse në NLB Prishtina shkon e gjithë dita derisa të japin një arsyetim zyrtar.
Duke ditur faktin se qytetarëve një pjesë e mirë e rrogës së tyre u shkon për të paguar kamatat e larta të kredive, ata shprehen të indinjuar edhe me pritjet që detyrohen të bëjnë në rastet kur kanë punë në bankë.
Njëri nga qytetarët e shumtë që ka pasur nevojë për shërbimet bankare, Bujar Shala thotë se nuk është i kënaqur me bankat.
Edhe Behram Krasniqi vlerëson se krahasuar me fitimet që realizojnë bankat shërbimet nuk janë në nivel.
Për të gjitha këto flet edhe njohësi i sistemit bankar – profesori i Fakultetit Ekonomik të UP-së, Nagip Skënderi, i cili vlerëson se bankat nuk kanë shërbime cilësore krahasuar me fitimet milionëshe që realizojnë.
Profesori po ashtu theksoi se mosgatishmëria e bankave për të ulur normat e interesit në kredi ka sjellë vështirësi për qytetarët dhe një sërë vështirësi tjera.
Sidoqoftë drejtuesit e Procredit Bank tregojnë se banka e tyre numëron 61 degë në tërë territorin e Kosovës me rreth 1100 punëtorë, por nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë në pyetjen pse ndodhin pritje të gjata të qytetarëve nëpër disa degë të kësaj banke.
Zëvendësdrejtori gjeneral i ProCredit Bank, Florin Lila në përgjigjen e tij përmes e-mailit tha se gjatë vitit 2010, në shumë degë të bankës është filluar të instalohen TCR-ët, makina këto mjaft të përsosura bankare përmes së cilave mund të thuhet se është rritur dukshëm efikasiteti i punës me klientë.
“Edhe gjatë këtij viti ne do të vazhdojë me instalimin e këtyre makinave nëpër të gjitha degët tona gjë që do të ndikojë edhe në përshpejtimin e kryerjes së transaksioneve bankare dhe në ofrimin sa më të shpejtë të shërbimeve për klientët tanë. Megjithatë është shumë e rëndësishme të theksohet se ProCredit Bank në vazhdimësi punon në drejtim që klientëve t’u ofrojmë shërbime bankare edhe jashtë objekteve të bankës, qoftë përmes bankomatëve, vetëshërbimeve bankare apo përmes e-banking, mundësi kjo që klientët t’i kryejnë të gjitha veprimet bankare nga zyra apo shtëpia e tyre”, ka thënë Lila.
Ndërsa zyrtari i marketingut në NLB Prishtina, Drin Kryeziu , thotë se nuk kanë pranuar ndonjë ankesë nga klientët për pritje, porse për të eliminuar pritjet e klientëve për transaksionet bazike siç janë tërheqjet në para të gatshme, janë shpërndarë 60 ATM në tërë Kosovën, ku ofrohet shërbim 24 orësh.
“Nuk kemi pasur ndonjë ankesë nga ndonjë klient për pritje të gjata dhe kjo len të kuptohet se shërbimi është në suaza normale. Pritjet shkaktohen edhe nëse klienti paraprakisht nuk ka caktuar termin me ndonjë zyrtar të bankës për një çështje të caktuar. Po ashtu, kategori të ndryshme të klientëve siç janë pensionistët, rastet sociale etj, me ligje shtetërore këtyre nuk u lejohet pajisja me kartela debitore. Këto kategori duhet të vinë fizikisht në bankë për të bërë tërheqjet e mjeteve të tyre. Gjatë këtyre 3-4 ditëve nëpër njësitë e bankës shkaktohen pritje në radhe më gjatë se zakonisht. Kjo është dukuri e zakonshme edhe për bankat tjera”, ka thënë Kryeziu nëpërmjet e-mailit.
Duhet theksuar se raportet e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se sistemi bankar në Kosovë është shumë stabil dhe se vitin e kaluar ka realizuar një fitim prej dhjetëra miliona euro. Sipas këtyre të dhënave Procredit Bank ka pasur një fitim prej 20 milionë e 828 mijë euro gjatë vitit 2010, kurse NLB Prishtina 4 milionë e 36 mijë euro.
Tuesday, 26 April 2011 11:28