Lajme Shqip Wednesday, 04 January 2012 19:45

Prishtinë-Prodhuesit kosovarë nga ky muaj do të mund të eksportojnë mallrat e tyre në cilindo vend të Evropës pa doganë.

Më 30 dhjetor është marrë vendim që Kosovës ti kthehen preferencat tregtare të cilat ishin pezulluar një vit më parë.

Khaldoun Sinno, Ushtrues Detyre i Kryesuesit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë deklaroi se ky është vendim i rëndësishëm për bizneset kosovare të cilat eksportojnë në BE.

Ripërtëritja e preferencave tregtare sipas tij, do t’ju mundësojë bizneseve një qasje shumë më të lehtë në tregjet e BE-së dhe pritet që të çojnë përpara eksportin e Kosovës në këto vende.

Masat tregtare autonome aplikohen për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe sigurojnë qasje të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat me origjinë nga rajoni.

Në vitin 2000, Bashkimi Evropian për herë të parë krijoi një qasje të veçantë të liruar nga dogana në tregun e BE-së për pothuajse të gjitha mallrat, pa sasi të kufizuar, me origjinë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Kosova).