Prishtinë – Raporti i parë gjithëpërfshirës i institucioneve publike për të drejtën e qasjes në dokumente publike është publikuar sot nga Zyra për Komunikim Publik e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, zv/kryeministri Hajredin Kuçi theksoi rëndësinë e këtij botimi të veçantë për transparencën e institucioneve publike, i cili u botua për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, ndërsa theksoi vullnetin e institucioneve që raportimet e tilla të jenë periodike.
“Është orientim i qartë i institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, qoftë ato në nivel qendror apo lokal, që të respektohet Ligji për Qasje në Dokumente Publike, por mbi të gjitha t’iu mundësohet publikut dhe medieve të kenë informacionet e parapara me ligj, për çdo aktivitet që kanë mundësi të marrin. Ne kemi pasur dhe kemi dëshirë të kemi një qeverisje të mirë, programe reale dhe një mënyrë ose tjetër dhënien e transparencës për implementimin e këtyre programeve”, theksoi Kuçi.
Raporti është hartuar nga Zyra për Komunikim Publik e Zyrës së Kryeministrit, e cila më parë raportin e tillë e ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Drejtori i Zyrës për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeministrit, Arianit Bytyçi, shprehu gatishmërinë që zyra që drejton, të ndihmojnë këtë proces tek të gjitha institucionet tjera publike. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 May 2012 08:00