Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 14:46

Prishtinë – Opozita ka vënë në “kryq” Qeverinë e Kosovës për shpenzime të mëdha gjatë shqyrtimit të raportit financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2010, duke vlerësuar se Qeveria Thaçi jo vetëm që nuk u është përmbajtur premtimeve për ulje të shpenzimeve në sektorë të ndryshëm, por madje i ka rritur ato.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka paraqitur shkurtazi raportin dhe është larguar nga salla, përderisa as kryeministri dhe shumica e ministrave nuk ishin të pranishëm. Kjo ka shtyrë LDK-në si partia më e madhe opozitare ta braktisë seancën gjatë shqyrtimit të kësaj pike.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të raportit ka thënë se arritjet substanciale të këtij raporti janë ngritja e të hyrave, ngritja e planit të të hyrave për disa kategori, përfshirë këtu kategorinë e investimeve kapitale dhe ngritje simbolike e shpenzimeve në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve.

Komisioni për buxhet dhe financa i ka dhënë mbështetje këtij raporti, sikurse edhe partnerët e koalicionit, ndërkohë LDK dhe AAK nuk e kanë votuar këtë raport.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje tha se nuk mund të miratohet raporti që pasqyron shpenzime marramendëse dhe keqpërdorim të parasë së popullit.

Kurse, Ardian Gjini, shef i GP të AAK-së ka theksuar se Qeveria e Kosovës po e shkatërron kulturën politike dhe po e shkatërron popullin e Kosovës.

LDK-ja e cila ka kundërshtuar vazhdimin e debatit për këtë raport, ka lëshuar sallën në këtë pikë të rendit të ditës.