Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 16:26

Prishtinë – Kabineti qeveritar ka aprovuar prioritetet e zhvillimit ekonomik të Kosovës, të cilët janë identifikuar dhe ranguar në listën e prioriteteve zhvillimore, gjatë qëndrimit disaditor të kryeministrit Hashim Thaçi dhe një pjese të ministrave të kabinetit qeveritar, bashkë me ambasadorin amerikan Kristofer Dell, në Bullgari.

Sipas Thaçit, plani i hartuar në Bullgari është një filozofi dhe një qasje e re e zhvillimit ekonomik, e bazuar kryesisht në sektorin privat.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës zotohet se politikat ekonomike do të kenë gjithmonë parasysh nevojën dhe përshtatjen e nevojave të qytetarëve.

Sipas Thaçit, pas rritjes së pagave në gjithë sektorët publikë dhe rritjes së mirëqenies sociale, ky plan ekonomik është hapi tjetër që çon drejt rritjes së zhvillimit ekonomik.

Ndërkaq zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se këto prioritete janë një udhërrëfyes për projektet kapitale .

Një plan i tillë, sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, do të miratohet në Qeveri më 15 maj, e më pastaj do të diskutohet me komisionet parlamentare, shoqërinë civile dhe faktorët tjerë relevantë.

Ministrat që kanë ndërlidhje me sektorin ekonomik, sikur ai i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ai i Bujqësisë, Blerand Stavileci e të tjerë, kanë paraqitur prioritetet e tyre të parapara me planin për zhvillimin ekonomik.

Beqaj ka folur për investimet në energji elektrike dhe në hidroenergji, duke bërë të ditur se viti 2017 është afati i fundit për rehabilitimin e Termocentralit Kosova B dhe për mbylljen e Termocentralit Kosova A. Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të nisin hapat e parë për Hidrocentralin e Zhurit.