Lajme Shqip Sunday, 18 December 2011 09:00

Prishtinë-Qeveria e Kosovës ka vendosur të presë në mënyrë madhështore kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila mbërrin të hënën në Prishtinë. Pjesë e axhendës së parashikuar për pritjen e saj janë Garda e Ceremonive, billbordat dhe flamujt gjermanë nëpër qytet.

Kështu me të arritur në Prishtinë kancelarja Merkel në shenjë respekti do të pritet në Aeroport me Gardën e Ceremonive të FSK-së, ku dhe do të pritet nga vetë kryeministri Thaçi me të cilin do të ketë një takim rreth orës 11:30 dhe më pas edhe një konferencë të përbashkët për media.

Më tej Merkel do të takojë ushtarët gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, ndërsa takime të ndara do të zhvillojë edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Drews, kreun e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe përfaqësuesin e BE-së Fernando Gentilini.

Është parashikuar gjithashtu që përgjatë rrugëve ku do të kalojë Merkel, nxënës të shkollave fillore me flamuj të Kosovës dhe Gjermanisë do të mirëpresin kancelarin në shenjë falënderimi për ndihmën ndaj Kosovës.

Vizita e kancelares Merkel është konfirmuar dy ditë më parë nga vetë zëdhënësi i saj, Steffen Seibert. Pritet që kancelarja Merkel të përcjellë mesazhe lidhur me bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ku Kosova ka treguar një qasje mjaft konstruktive.