Prishtinë – Pozita dhe opozita kanë shkëmbyer në seancën e sotme parlamentare kritika dhe akuza për dështim, korrupsi
on dhe përfshirje në krim të organizuar.
Deputetët e opozitës kosovare kanë kërkuar që Qeveria të japë llogari rreth dobësive dhe ngecjeve që ka paraqitur Raporti i Pprogresit. Opozita ka përdorur sërish Raportin e Progresit për të kritikuar Qeverinë për dështim në fushat më kruciale, që kanë të bëjnë me sovranitetin e vendit, ekonominë dhe luftën ndaj korrupsionit.
Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se fakti që Qeveria e ka quajtur real Raportin e Progresit tregon se e ka pranuar dështimin.
Ndërsa, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në veri të vendit ka më tepër institucione Serbia sesa Kosova.
Këtyre akuzave i është përgjigjur kryeministri i vendit Hashim Thaçi. Ai ka thënë se Kosova ka bërë, megjithatë një hap para me hapjen e rrugës për t’u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave. Ai ka folur për anët pozitive dhe përpjekjet për progres në fushat ku në Raport të Progresit janë theksuar ngecjet.
Ndërsa, Sabri Hamiti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkoi seancë të veçantë për ta debatuar Raportin e Progresit, veçanërisht pjesën ku thuhet se Kuvendi nuk po e kryen punën e tij për shkak të kontrollit të Qeverisë.
Kreu i ekzekutivit i ka kërkuar Kuvendit të përgatitet për një seancë të posaçme, ku do të diskutohet së bashku me kabinetin qeveritar rreth vlerësimeve të Raportit të Progresit. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 October 2011 12:10