Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 13:11

Prishtinë – Trangujt e importuar në Kosovë, janë të sigurt, kanë bërë të ditur drejtues të inspektoratit sanitar. Instituti Kombëtar për Shëndet Publik thotë se nuk ka vend për shqetësim. Autoritetet shëndetësore i porosisin qytetarët që t’i pastrojnë pemët dhe perimet para se ato t’i konsumojnë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet t’i frikësohen konsumit të trangujve, ka bërë të ditur Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

Drejtoresha e Inspektoratit Sanitar, Iliriana Zymberaj tha për Blue Sky se çdo gjë është nën kontroll.

“Për momentin nuk ka dyshime që kemi hyrje të esheriakollit për shkak se ne nuk kemi ndonjë import nga Spanja, por kemi import vetëm nga Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia dhe për momentin nuk kemi ndonjë frikë prej kësaj. Jemi në kontroll strikte të kufijve”

Dyshimet për depërtimin e bakteries Esherihia Coli përmes trangujve në Kosovë, i hedh poshtë edhe Drejtori i Institutit për shëndet publik, .

“Nuk ka asnjë prani të sheriakollit për atë që dyshohet se ka shkaktuar epidemi në Gjermani. Instituti çdo herë e bënë përditësimin e situatës epidemiologjike për çdo sëmundje ngjitëse këtu nënkuptohet edhe sheriakolli. Ne kemi shikuar se çfarë mund të bëjmë nëse ndonjë rast shfaqet kapacitetet e institutit, laboratorët mikorbiologjik në bazë të analizave që ne bëjmë jemi në gjendje të gjitha rastet të diagnostikojmë me kohë”.

Autoritet shëndetësore porosisin qytetarët që t’i pastrojnë mirë pemët dhe perimet para se ato t’i konsumojnë. Ndryshe, Esherihia Coli është bakterie e cila vie kryesisht nga papastërtia. Mund të jetë vdekjeprurëse për rastet të cilat shfaqen me implikime në veshka.